23-11-2024

Tërmet gjatë mbledhjes së Qeverisë shqiptare derisa po raportohej për dëmet nga lëkundjet e mëhershme të tokës

Shqipëria u godit në mesnatë nga një tjetër tërmet i fortë, ndonëse me intensitet pak më të ulët se ai i pasdites të së shtunës.

Sipas të dhënave, epiqendra ka qenë 2 kilometra në juglindje të Durrësit, me magnitudë 4.9 gradë të shkallës Richter dhe lëkundjet u ndjenë të fuqishme edhe në Tiranë, ku në ato momente po zhvillohej mbledhja e qeverisë e fokusuar pikërisht te tërmeti i pasdites. Ndërsa ajo transmetohej direkt, u ndje një kërcitje dhe lëkundje e kamerës.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili kishte fjalën në ato momente, e ndërpreu për pak çaste duke ngritur kokën lart. Ai vijoi të fliste, ndërkohë që dridhjet dalloheshin në transmetim, aq sa një moment ministri tha se “po përpiqem dhe unë të mos më lëkundet zëri”, shkruan Zëri i Amerikës.

Gjatë mbledhjes së qeverisë u bënë të ditura dhe të dhënat e përditësuara lidhur me pasojat e tërmetit.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha së janë mbi 500 banesa dhe mbi 30 pallate, kryesisht në Tiranë dhe Durrës, të cilat janë dëmtuar. Në pjesën dërrmuese, bëhet fjalë për plasaritje dhe krisje të mureve apo dëmtime në tavane.

Numri i personave që ka kërkuar ndihmën mjekësore, po në Tiranë dhe Durrës, dy qytetet që kanë qenë më parën epiqendrës, “ka arritur ne 105 persona, nga të cilët, deri në mesnatë vetëm 12 ishin ende në spital nën vëzhgimin e mjekëve”, informoi nga ana e saj ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Dëmet materiale janë shumë më modeste se sa mendohej dhe më e rëndësishme është se nuk ka patur asnjë jetë të humbur dhe asnjë dëmtim serioz. Me fat që dëmet kanë qenë kaq të kufizuara”, deklaroi ministrja Xhaçka.

Nga ana e tij, kryeministri vlerësoi reagimin e strukturave shtetërore, duke njoftuar se qeveria është e gatshme të vërë në dispozicion fondet e nevojshme për të përballuar pasojat.

I kthyer në Shqipëri në mbrëmjen e së shtunës pasi ndërpreu udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara ku do të merrte pjesë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Rama tha se kishte marrë telefonata solidariteti dhe mbështetje nga kryeministri italian Giuseppe Conte, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari austriak dhe udhëheqës të tjerë nga vende të ndryshme.

Paniku dhe frika ka mbajtur të mbërthyer deri orët e vona të natës banorët në kryeqytet, të cilët kanë vijuar të qëndrojnë jashtë. Në Tiranë po dhe në Durrës janë ngritur dhe disa qendra pritjeje.

Lëkundja e parë e fortë e tërmetit u regjistrua në orën 16.05 minuta, me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Richter dhe intensitet 7.5 ballë.

Tërmeti i së shtunës pasdite ishte “më i madhi i regjistruar në 30 vitet e fundit”, sipas sizmologëve. Ai u pasua nga të paktën 130 pasgoditje me një intensitet më të ulët.

Kryesisht në Tiranë e Durrës, qytetarët përjetuan frikë dhe ankth për orë të tëra. Ata kanë dalë me shpejtësi nga banesat e tyre për të qëndruar në rrugë e sheshe. Në fakt një pjesë e mirë e të plagosurve, janë lënduar pikërisht në ikje e sipër me nxitim, për të dalë nga banesat e tyre. Në një rast, një person ka pësuar frakturë të këmbës pasi është hedhur nga kati i dytë i banesës, ndërsa një tjetër, është përplasur nga një makinë ndërsa tentonte të kalonte rrugën me shpejtësi.

Asnjë koment

Comments are closed.