Tërnava në Faljen e Bajramit: Të angazhohemi për të mirën e përbashkët
Manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës është mbajtur sot në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Manifestimi ka filluar në ora 04:10, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte edhe ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga drejtori i Medresesë, Jakup ef. Çunaku, raporton rtklive.com.
Namazi i Fitër – Bajramit është falur në ora 05:34 minuta të cilit i ka prirë Resul ef. Rexhepi sekretar i përgjithshëm i BIK-ut.
Hytben e Fitër – Bajramit e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ka dhënë mesazh për këtë festë.
Meqë ditë më parë u festua 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, Tërnava në ligjëratën e tij i kushtoi një pjesë të madhe kontributit të njerëzve të fesë në këtë ngjarje dhe të tjerat që pasuan.
“Mbajtja e kësaj ngjarjeje në xhami dëshmon për lidhjen mes fesë e vatanit, vërteton kontributin historik të hoxhallarëve në ruajtjen e kombit”, tha Tërnava.
“Ju thërras të gjithëve, popull e institucione, duke marrë shkas në festat tona fetare e institucionale, për t’u angazhuar për interesin e vendit, për të mirën e përbashkët, duke shfrytëzuar momente sikur këto”, ishte apeli i tij.
“Ramazani na ka mësuar se falja është tipar i besimtarëve të devotshëm andaj duhet ta dëshmojmë këtë tipar. Ramazani na ka mësuar që të triumfojmë mbi epshet andaj sot është momenti që epshit t’i japim goditjen përfundimtare. Përmbajtja ndaj provokimeve fizike e verbale është produkt dhe vlerë e Ramazanit”, tha myftiu Naim Tërnava./express/