Thaçi, Kurtit për mandatin – Take it or leave it
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ia ka dërguar edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku ka theksuar se është në pritje të përgjigjes së tij, siç kishte premtuar në takimin e tyre konsultativ, por se ende nuk e ka pranuar propozimin e tij.
Pas funksionalizimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Thaçi i ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë e presin funksionalizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presin nga ai si President të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër.
“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.
Në cilindo rast, të pranimit apo refuzimit të mandatit, Thaçi ka kërkuar nga Kurti që ta njoftojë për një gjë të tillë në mënyrë që t’i ndërmarr të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin/en për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës./GazetaBlic