27-11-2024

Tmerri në Romajë: Ankthi i natës, granatimet, plaçkitjet dhe djegia e shtëpive (Pjesa 2)

Shkruan: Msc. Qazim Morina

Rënia e territ e bëri edhe më të trishtueshme gjendjen. Drita Qenaj, profesoreshë, kujton se në oborrin e shkollës kishin hyrë disa tanke. “Në mesnatë i ndalën dritat në shkollë për 10 minuta dhe filluan të shtëna dhe granatime. Patëm frikë e trishtim. Menduam se po i vrisnin burrat, ndërsa ata këtë e kishin menduar për ne”, kujton ajo.

Veprime të tilla, sigurisht bëheshin me pretekstin se janë sulmuar nga UÇK dhe të futej frikë, që dikush nga banorët të tregonte për veprimtarinë e tyre.
Vaji i fëmijëve të mbetur pa ushqim dëgjohej qartë tek dhomat ku qëndronin meshkujt. Kishte alivanosje. Nuk kishin as ujë për fëmijë. Drita kujton se nëna e saj dhe disa gra më të moshuara merrnin pak ujë nga gypat, që përcillnin shiun nga kulmi i shkollës.

Dy fëmijë, Islam Gutaj dhe Beqir Maksut Cahanaj për të siguruar pak bukë kishin tentuar të dalin, por ishin kapur përreth shkollës dhe ishin rrahur fytyrës me thupra. Kur i rikthyen në dhomë  i kishin fytyrat e ënjtura.

Mëngjesin e 21 shtatorit, meshkujt sërish u sollën në oborrin e shkollës. Filluan maltretimet ndaj tyre, kërkonin armët dhe pyetnin se kush e përbënte strukturën e UÇK-së në fshat. Janë rrahur keq, kushërinjtë: Besim Nuhi Qenaj, Halil Maksut Qenaj, Avni Zenun Qenaj, pastaj Riza Selman Qenaj, Florim F. Qenaj, Kujtim M. Smajlaj, Sejdi dhe Isni Sokoli, pastaj Mic M. Qenaj,  Sadik Smajlaj,  e të tjerë. Ata ishin arrestuar edhe dërguar edhe në Prizren.

Po ashtu rëndë i kanë rrahur ish-sekretarin e shkollës, Ismet F. Qenën (tashmë i ndjerë) si dhe Hamit Rexhep Qenën, derisa Rizan Qenën e kanë rrahur në rrugë.

Halil Qenaj kujton se pas intervistimit e kanë marrë dhe dërguar në shtëpinë e tij, duke e urdhëruar t’i djegin mullarët e sanës. “Më detyruan ta djeg edhe shtëpinë. Në dhomë më rrahën me grusht dhe shqelma, duke ma çarë vetullën, aq sa gjaku stërpiku murin dhe njollat janë vërejtur me t’u rikthyer familjarët në shtëpi. Më detyruan t’ia vë flakën perdes së dhomës për ta djegur dhe pastaj dolëm”, kujton ai, duke thënë se ngjarjen s’do ta harrojë përjetë.

Gjatë tërë asaj dite binte shi. Ushtarët bastisën shtëpitë e fshatit, ndërsa për shoqërim merrnin edhe disa banorë.  Në fshat filloi të dukej tymi nga djegia e shtëpive e stallave me ushqim të bagëtive.
17 shtëpi të fshatit i dogjën, ndër to:  atë të Ismet F. Qenës, Refki Demajt, Isen Shaqë Qenës, Ukë Nezirit, Arif Ukajt, etj.

Pothuajse 70 përqind e shtëpive ishin kontrolluar, prej nga ishin plaçkitur stoli ari, para, gjëra të vlefshme, si dhe raki e pako cigaresh.

Pasdite, rreth orës 16:00 filloi lirimi i të “robëruarve”. Me t’u kthyer disa banorë i gjetën shtëpitë të djegura, teksa dilte tym.

Forcat serbe gjatë tërheqjes arrestuan 29 meshkuj, (mes tyre kryetari i fshatit, Isuf Nezaj, e sekretari i shkollës, Ismet Qenaj), të cilët u dërguan në kazermën e ushtrisë në dalje të Prizrenit (aty ku pas lufte u vendos kampi i KFOR-it). Po ashtu me ta në një kamion i hipën edhe tre të arrestuar të tjerë, si Rexhep A. Shatrin nga Kushnini, Rrahman B. Kabashin nga Kabashi, si dhe një person nga fshati Gërqinë.

Dëshmitarët tregojnë se aty i kishte pritur ushtria duke brohoritur: “Vdekje terroristëve, të gjithë do t’i mbysim”, etj. Rreth orës 20:00, në një sallë kishin filluar maltretimet nga më të ndryshmet, duke i rrahur brutalisht shumicën e tyre me arsyetimet e njëjta, si dhe duke kërcënuar për likuidim për shkak të mosbashkëpunimit me organet shtetërore, si policinë e ushtrinë, që sipas tyre ua garantonte sigurinë dhe mbrojtjen nga UÇK.

Rreth orës 24:00 deri në 02:00 (22 shtator), filloi lirimi në grupe nga dy-tre persona për të shkuar në shtëpi. Eprorët u kishin thënë se prapë do të shkonin në fshat për të përcjellë situatën.
Largimi nga kazerma ishte i frikshëm, pasi përsëri ushtarët i shanin e kërcënonin me vdekje. Nuk dihej nëse ishin liruar të gjithë.

Po ashtu gjatë kthimit për në shtëpi fshatarët ndaleshin e maltretoheshin nga patrullat policore, të cilat nuk u besonin se ishin liruar.  Isuf Nezaj thotë se asnjë nga auto-taksitë nuk kishte pranuar të udhëtonte drejt Romajës, duke ditur se çfarë kishte ndodhur atje, ndërsa ai në shtëpi ishte kthyer rreth orës 03:00 të mëngjesit.

Për shkak se nuk kishim ku të qëndronim, shkaku i djegies së shtëpive, për një kohë deri në çlirim (qershor 1999) disa familje janë strehuar tek të afërmit e miqtë.

Nesër shkrimi për Pengmarrjen në Lugishtë të Hasit, ku pos banorëve qëlluan edhe eprorët e lartë të UÇK së, Kadri Veseli e Bislim Zyrapi, me 15 ushtarë, dhe çfarë ndodhi më pas…

Lexo edhe:

Torturat ndaj banorëve në Romajë të Hasit nga ushtria serbe, më 1998

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.