Torturat ndaj banorëve në Romajë të Hasit nga ushtria serbe, më 1998

Shkruan: Qazim Morina

Mëngjesin e 20 shtatorit 1998, i njëjti skenar i rrethimit të fshatit u zbatua edhe në Romajë,  rreth 25 km larg Prizrenit. Me pretekstin e dorëzimit të armëve, përfshirë edhe ata të cilët i posedonin me leje, forcat ushtarake serbe i vendoset pikat e tyre vrojtuese e kontrolluese. Në rrugën nga drejtimi i fshatit Lukijë, tek kthesa në hyrje të Ramajës u vendos një tank, që bllokoi rrugën.

Paralajmërimi ishte dhënë një ditë më parë në takimin me kryetarin e fshatit, Isuf Nezaj.

Ushtria urdhëroi që në orën 18:00 të gjithë banorët pa dallim moshe e gjinie, të tubohen në oborrin e shkollës.
“Oficerët serbë më kërcënuan se të gjithë meshkujt duhet të kthehen në shtëpi për t’i sjellë armët, në mënyrë që popullata të lirohej”, kujton Nezaj.
Meshkujt ishin shpërndarë dhe brenda një ore ishin rikthyer pa armë. Kjo irritoi oficerët, të cilët filluan t’i kërcënojnë me jetë, duke fyer e sharë ata.

Në qendër të fshatit kishte tanke dhe ushtarë, të cilët mbanin shamia në kokë dhe kryqe të varura në qafë. Për t’i provokuar banorët, në grykën e tankeve kishin varur punime artizanale të qëndisura të flamurit shqiptar.
Meshkujt u ndanë nga gratë, duke i vendosur në dhomat e Sadik M. Smajlajt, disa metra larg shkollës, ku po qëndronin gratë dhe fëmijët. Kjo shkaktoi panik te popullata, që mbeti e hutuar për atë që po ndodhte.

Gratë ishin mbajtur dy orë në këmbë, e pastaj janë detyruar të ulen në dysheme pa ndonjë shtrojë.
Eprorët serbë ishin vendosur tek shtëpia e Ibish B. Durajt, afër shkollës, ku edhe ndodhen maltretimet më të mëdha të banorëve.


Gjatë tërë natës disa meshkuj janë intervistuar dhe torturuar,  kryesisht rreth veprimtarisë së UÇK-së, se ku fshiheshin ata, si dhe kërcënimit se në rast të ndonjë sulmi eventual nga UÇK, atëherë do të ekzekutoheshin të gjithë. Shumë të rinj pas presionit edhe ishin rrahur fizikisht, si strategji për të futur përçarje dhe mosbesim tek popullata.

Shumë dëshmitarë të intervistuar e përshkruan të tmerrshëm përjetimin gjatë ballafaqimit me oficerët e egërsuar. Të gjithë i porositnin të mos tregonin  për çfarë ishin pyetur.
Ish-mësuesi Hajredin Qenaj, thotë se të parin e ftuan në bisedë informative, ndërsa e kanë pyetur se çfarë historie u shpjegonte nxënësve si dhe rreth UÇK-së e armatimit. “Më kanë rrahur me shqelma, ndërsa pas përfundimit më nxorën në një korridor dhe eprori e urdhëroi ushtarin të më qëllonte në rast të lëvizjes më të vogël”, kujton ai.
Dhunë e tillë ishte ushtruar edhe ndaj vëllait të tij, mësues Brahimit.

Në pozicion shumë më të vështirë ishte gjinia femërore dhe fëmijët. Sipas dëshmitarëve ka pasur gra që kishin lindur një ditë më parë, dhe ishin me foshnje e djepa. Kishte edhe persona me nevoja të veçanta, të cilët nuk e kuptonin situatën dhe kërkonin me çdo kusht të dilnin jashtë, duke vënë në siklet të ngujuarat.

Sipas dëshmitarëve, ditën janë intervistuar disa fëmijë të moshës 8-10 vjet, duke i pyetur nëse prindërit i kishin UÇK, pastaj lëvizjeve eventuale të pjesëtarëve dhe pamjes së uniformave e armëve të UÇK-së, si dhe rreth asaj nëse prindërit po i strehonin ata.

Vazhdon nesër pjesa II: Ankthi i natës, granatimet dhe plaçkitjet e shtëpive

Lexo edhe:

Pengmarrja e banorëve të Kushninit e Kabashit, plaçkitjet e shtëpive dhe djegia e tyre nga ushtria (2)