23-11-2024

Tre faktor që degraduan sistemin arsimor të Kosovës

Shkruan: Fatmir Halili

Një nga sektorët që vështirë do të bëjmë përmirësime, dhe që pasojat do t’i ndjejmë një kohë të gjatë si shoqëri, është sistemi arsimor në vend.
Do të dalloja tre faktor kryesor që kanë shkaktuar këtë gjendje që do të jetë e pa rekuperueshë me për decenie me radhë.

Fillimisht, është sistemi paralel i viteve të nëntëdhjeta, që pa dyshim ka lënë pasoja. Gjatë asaj periudhe, për më shumë se një dekadë arsimimi është bërë vetëm e vetëm për të mbajtur gjallë frymën shqiptare, për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare. Mund të kuptohet lehtë se çfarë arsimimi të gjeneratave ka pasur gjatë asaj periudhe, kur mësimi është zhvilluar nëpër shtëpi private dhe me kushte të mjerueshme, shto këtu, edhe mënyrën e financimit të mësimdhënësve. Kjo gjendje ka qenë e njëjtë si në arsimin fillor dhe të mesëm, ashtu edhe në arsimin universitar.

E dyta, janë punësimet partiake të pasluftës, e që fatkeqësisht vazhdojnë të jenë evidente edhe sot e kësaj dite. Sektori i vetëm ku më së shumti është gjetur hapësirë për punë ka qenë sektori i arsimit. Si pasoj e ngulfatjes dhe moszhvillimit të sektorit privat, orientimi i vetëm i punëkërkueseve (në veçanti atyre me diploma) kanë qenë institucionet shtetërore, në mënyrë të posaçme sektori i arsimit. Ndikimi i drejtpërdrejtë i pushtetit në punësimin e kuadrove në sektorin e arsimit, ka sjellë politizimin e tejskajshëm, e për pasojë edhe punësimin e shumë njerëzve pa meritë dhe me diploma të dyshimta, dhe në këtë mënyrë degradimin e sistemit arsimor në vend.

Së treti, janë qeverisjet e dobëta dhe pa planifikim që nga paslufta, që kanë pranuar reformimin e sistemit ekzistues të arsimit pa asnjë analizë të mirëfilltë. Janë implementuar programe të ndryshme arsimore, dhe janë bërë përpjekje për transformim të shpejtë të mësimdhënies dhe mësimnxënies pa asnjë përgatitje paraprake. Qoftë në aspektin financiar, qoftë në aspektin e dijes së mësimdhënësve, nuk ka pasur përgatitje për implementimin e programeve arsimore të ardhura nga vende të ndryshme të botës. Në fakt, Kosova ishte një eksperiment për të huajt në shumë fusha, në këtë rast edhe në fushën e arsimit, e që fatkeqësisht kanë gjetur përkrahjen edhe të politikanëve vendor.

 

Fatkeqësisht, moszgjidhja e statusit përfundimtar të shtetësisë për vite me radhë, ka bërë që politika kosovare të marrë orientim më të madhe drejtë arritjes së zgjidhjes përfundimtare të statusit, e për pasoj të mbeten anash shumë çështje të rëndësishme shoqërore, me këtë rast edhe çështja e arsimit.  Megjithatë, kjo nuk mund të merret si arsye, sepse paralelisht me çështjen e zgjidhjes së statusit përfundimtar, është dashtë që politika kosovare të merret edhe me çështje të tjera, që kanë qenë dhe mbeten substanciale për shoqërinë tonë.

 

Tashmë, pas një degradimi të skajshëm të sistemit arsimor, pasojat, veç kemi filluar t’i shohim dhe t’i përjetojmë, ajo që mbetet esenciale, është të gjejmë rrugën për të rindërtuar dhe sanuar pasojat e shkaktuara, dhe për të mos vazhduar më tutje me këtë gjendje. Konsideroj, se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes një uniteti partiak. Tashmë, ky problem nuk është i një partie politike, është problem shoqëror që kërkon një bashkim forcash për gjetjen e zgjidhjes.

Pa dyshim, deri te rekuperimi dhe ndërtimi i sistemit arsimor të shëndosh, do të marrë kohë ndoshta me decenie të tëra, siç ka ndodhur edhe në shumë vende të tjera të botës, të cilat sot kanë sistem arsimor model për vendet e tjera, siç është Finlanda, andaj, çdo vonesë do të jetë e kushtueshme për shoqërinë.


( Autori është ligjërues i rregullt tek kolegji Fama )

Asnjë koment

Comments are closed.