Tre nxënës i zë rryma në një shkollë të Mitrovicës
Tre nxënës të klasës së 7-të, në shkollën “Eqrem Çabej”, dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën gjatë mesditës së sotme.
Sipas portalit “Jepi zë”, ata janë dërguar në Emergjencë për kontrolle, e më pas janë liruar për në shtëpi.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, i cili ka thënë se ka nisur hetim për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Një rast ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ” është iniciuar sot në stacionin policor “Jugu” në Mitrovicë, pasi është raportuar se tre të mitur kanë kërkuar tretman mjekësor si pasojë e kontaktit me rrymë, në kohën sa ndodheshin brenda objektit të shkollës. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Evlia Qelebia”, në Mitrovicë”, deklaroi Zahiti, për IndeksOnline.
Nga hetimet fillestare, dyshohet se nxënësit ranë në kontakt me rrymën nga një derë metalike, e cila mund të ketë marrë masë.