23-11-2024

Tre të arrestuar për vjedhje nga veturat nëpër qendra tregtare

Tre persona me inicialet E. K, A. E dhe A. K. janë arrestuar nga policia, si të dyshuar për vjedhje, kryesisht thyerje të automjeteve, veçanërisht në parkingjet e objekteve tregtare. Ata dyshohet se pasi thyenin xhamat e automjeteve nga aty merreshin çanta e gjësende të ndryshme me vlerë.

Operacioni policor në të cilin janë bastisur dhjetë lokacione të Kosovës është zhvilluar nga hetues policorë të Stacionit “Veriu” në Prizren,  mëngjesin e hershëm. Synim ka qenë arrestimi i personave, për të cilët, dyshohet se veprimtaritë e paligjshme i kanë kryer që nga viti 2010 e këndej.

Pasi kryenin veprat, ata largoheshin me automjete në të cilat i kishin të vendosura targat po ashtu të vjedhura.  Në kërkim të provave materiale janë bastisur dhjetë lokacione: në Vushtrri, Podujevë, Prishtinë, Drenas dhe Lipjan.
Zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha, ka njoftuar se në Shalë të Lipjanit janë gjetur dhe sekuestruar një Lap-Top i cili besohet t’i jetë vjedhur një shtetasi gjerman në Prizren. Po ashtu është sekuestuar edhe një pushkë gjahu me 31 fishekë,  një veturë “Audi” e zezë me targa KS e cila dyshohet se është përdor në një vjedhje në Prizren.

Në një vend tjetër, në interes të hetimeve është sekuetruar një veturë “Opel Astra” me targa 01, të cilat janë të raportuara si të vjedhura ditë më parë.

Janë sekuestruar 25 çanta dore, të cilat dyshohet se janë të vjedhura, Disa pajisje e ndër to edhe një çekan special për thyerje të xhamave të automjeteve. Operacioni ka qenë i sinkronizuar mirë dhe ndihmesë kanë dhënë edhe Njësia e Reagimit të Shpejtë, Stacioni Policor i Prizrenit, hetues rajonal, pastaj policia e  Suharekës, Klinës dhe Ferizajt.

Komentet

Komento