23-04-2024

Tri ekspertiza mjekësore, për dëmin gjatë një aksidenti rrugor, ku kërkohet kompensim nga kompania

Gjykata Themelore në Prizren, ka marrë vendim që të bëhet ekspertizë mjekësore nga lëmia e ortopedisë, psikiatrisë dhe urologjisë, për të përcaktuar nivelin e lëndimeve të pësuara në aksident rrugor nga paditësi Besim Morina, i cili kërkon kompensim dëmi nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re”.

Gjatë kësaj seance gjyqësore, i autorizuari i paditësit, avokati Bestar Kolgeci, ka propozuar që të bëhen ekspertizat mjekësore në fjalë, në mënyrë që të arsyetohen kërkesat e klientit të tij për kompensim dëmi.

Propozimet e avokatit Kolgeci nuk i ka kundërshtuar e autorizuara e kompanisë “Kosova e Re”, Mimoza Asllani, e cila ka deklaruar se deri më tash kompania nuk i ka poseduar dokumentet mjekësore origjinale të paditësit, andaj shumë shpejt do t’i bëhet një ofertë reale për kompensim, në bazë të dokumenteve mjekësore.

Gjyqtarja e rastit, Edije Sezairi, ka aprovuar propozimin për ekspertizat në fjalë dhe ka thënë se seanca e radhës, në këtë çështje kontestimore, do të caktohet pasi që të pranojë raportet mjekësore nga ekspertët mjekësorë.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të padisë së ushtruar nga Besim Morina, i cili kërkon nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re” kompensimin e dëmeve të pësuara në aksident trafiku, të cilat sipas tij kapin vlerën e rreth 20 mijë eurove.

Sipas padisë, më 16 nëntor 2016, nga pakujdesia e vozitësit të siguruar në kompaninë “Kosova e Re”, është shkaktuar aksident rrugor ku ka mbetur i lënduar rëndë paditësi Morina, pas të cilit aksident i njëjti është dashur t’i nënshtrohet mjekimeve dhe terapive mjekësore, të cilat sipas tij kanë arritur shumën prej rreth 12 mijë euro.

Paditësi, po ashtu kërkon kompensim dëmi prej 5 mijë euro në emër të kujdesit të huaj, 1 mijë euro për ushqim të përforcuar, 500 euro për dhimbje trupore, 500 euro për frikën e pësuar gjatë aksidentit dhe 1 mijë euro për dhimbje psikike, që në tërësi kërkon 20 mijë euro për të gjitha llojet e dëmeve./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.