18-05-2024

Tri vajza dërgohen në Gjykatë, pasi në Prizren kërkonin ndihma për jetimët

Sapo hyn në qendrën e Prizrenit, në sheshin ‘Shatërvan’, shpesh të afrohen vajza të reja duke mbajtur në duar arka të vogla e me refrenin tashmë të njohur “A ban një minutë”. Janë këto forma të kërkimit të ndihmës për ndonjë fëmijë të sëmurë apo jetim.

Veprime të tilla në disa raste kanë dalë të kundërligjshme, për shkak se jo vetëm që ky nuk është imazh i mirë për vizitorët, e sidomos të huaj që qëndrojnë në Prizren, por edhe siç thuhet kjo formë sjell edhe bezdisjen e qytetarëve, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Personat që veprojnë në këtë formë në disa raste nuk kanë pasur as leje për operime të kësaj natyre. Një shqetësim i tillë është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal të Sigurisë në Bashkësi të Prizrenit, që vepron në kuadër të Komunës, në të cilin bëjnë pjesë përgjegjës nga disa fusha.

Vebi Zekolli, zv/komandant në stacionin e policisë “Alfa” (stacioni i vjetër ) në Prizren, ka thënë se disa OJQ kanë leje, por jo edhe për t’i bezdisur qytetarët. “Tri vajza në tetor i kemi gjet duke punuar në këtë formë dhe janë dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje”, ka thënë ai, por pa dhënë hollësi të tjera.

Policia në Prizren, herë pas herë ka raportuar për paraqitje në Prokurorinë Themelore,  të femrave që në emër të organizatave humanitare kërkojnë lëmoshë, kryesisht  në qendrën e Prizrenit.

Në pranverë, në dy raste të veçanta, policia ka njoftuar se kishte hasur në femra të dyshuara, shtetase kosovare, që ishin paraqitur në emër të shoqatave dhe për këtë ishin dërguar në Prokurori, ku ndaj tyre ishin hapur raste për mashtrim.

Pos, këtyre rasteve në qendër të Prizrenit gjithashtu operon edhe një numër tjetër i lëmoshëkërkuesve, disa prej të cilëve fëmijë.

Një formë e tillë e kërkim ndihmës për siç thuhet persona të sëmurë, shihen jo vetëm në qendër, por edhe nëpër oborret e qendrave tregtare. Në fokus të tyre janë klientët, që shpesh sapo dalin nga vetura përballen me grupe vajzash të reja, të cilat ua ofrojnë arkat për t’i hedhur paratë. Megjithatë,  duket se kohët e fundit janë pakësuar rastet e tilla parkingu i supermarketeve. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.