Nga vullkani Etna te vendet e filmit “The Godfather”: Dragashi shpenzon afro 25 mijë euro për një “vizitë studimore” në Sicili
Pak histori, pak kulturë, një vizitë në vullkan, shëtitje nëpër qytete historike, pazar dhe relaks. Kështu duket programi gjashtëditor i një udhëtimi në Sicili, për të cilin Kuvendi Komunal i Dragashit ka dhënë një kontratë në vlerë prej 24 mijë e 596 eurosh. Por, ndryshe nga një ofertë e zakonshme turistike, ky udhëtim do të financohet nga paraja publike dhe në dokumentet e prokurimit figuron si “vizitë studimore”.
Për 26 pjesëmarrës nga Kuvendi Komunal i Dragashit, Italia duket se ka shumë për të ofruar. Nga krateret e vullkanit Etna, te rrugicat ku është xhiruar filmi i famshëm “The Godfather”, e deri te tregjet tradicionale dhe bregdeti sicilian, programi është i mbushur me destinacione që do t’i kishte zili edhe një agjenci turistike.
E vetmja gjë që nuk zë shumë vend në këtë program është pikërisht ajo për të cilën është emërtuar udhëtimi: studimi.

Sipas dokumenteve të prokurimit, të siguruara nga redaksia, Komuna e Dragashit ka dhënë kontratën për organizimin e një vizite studimore në Republikën e Italisë për asamblistët dhe stafin e Kuvendit Komunal.
Në dokumentin e paramasës dhe parallogarisë parashihen gjithsej 26 pjesëmarrës, për të cilët udhëtimi gjashtëditor kushton mesatarisht rreth 946 euro për person.
Dita e parë: Studimet nisin me katedrale dhe darkë siciliane
Pjesëmarrësit do të vizitojnë Piazza del Duomo, Katedralen e Shën Agathës, Fontana dell’Elefante dhe tregun tradicional të peshkut, La Pescheria.
Dita përmbyllet me një darkë tipike siciliane, me peshk ose pasta alla Norma.

Në këtë pjesë të programit nuk figuron ndonjë takim me autoritetet lokale apo aktivitet që lidhet drejtpërdrejt me kompetencat e asamblistëve komunalë.
Dita e dytë: Nga salla e Kuvendit te krateret e Etnës
Dita e dytë e vizitës së quajtur studimore i kushtohet vullkanit Etna.
Programi parasheh ngjitje deri në lartësinë 1,900–2,500 metra, në varësi të kushteve, për të parë peizazhet vullkanike, krateret dhe lavën.
Pas drekës në një kantinë lokale, delegacioni do të vazhdojë drejt Aci Trezza dhe Aci Castello, ku ndër atraksionet e përmendura janë edhe legjendat e Ciklopëve.
![]()
Se çfarë përvoje konkrete për hartimin e rregulloreve komunale, mbikëqyrjen e ekzekutivit apo vendimmarrjen lokale mund të sjellë një ekskursion në vullkan, dokumentet nuk e shpjegojnë.
Dita e tretë: “The Godfather”, pazar dhe relaks
Në ditën e tretë, programi merr një drejtim edhe më interesant.
Asamblistët dhe pjesëtarët e stafit do të vizitojnë Savocan dhe Forza d’Agrò, vende të njohura për xhirimet e filmit “The Godfather”.
Në itinerar përmendet edhe Bar Vitelli, një nga lokacionet e njohura të filmit.
Pas drekës tradicionale, pasditja në Taormina është lënë e lirë për pazar dhe relaks.

Këto aktivitete janë të përshkruara shprehimisht në dokumentet e udhëtimit. Ndërkohë, nuk specifikohet ndonjë punëtori, ligjëratë apo takim institucional për qeverisjen lokale.
Dita e katërt: Qytete historike, plazh dhe shëtitje
Në ditën e katërt, delegacioni do të udhëtojë nga Taormina drejt Palermos.
Rrugës është paraparë mundësia e një ndalese në Cefalù, ku përfshihen katedralja normane, qyteti i vjetër dhe plazhi.
Në mbrëmje, programi parasheh shëtitje në qendrën historike të Palermos.
Edhe kjo ditë, sipas aktiviteteve të listuara, dominohet nga vizitat kulturore dhe turistike.
Dita e pestë: Më në fund, edhe një komunë në program
Vetëm në ditën e pestë, në dokumentin e paramasës dhe parallogarisë, përmendet një vizitë që mund të lidhet drejtpërdrejt me natyrën institucionale të delegacionit.
Bëhet fjalë për vizitën në komunën Piana degli Albanesi, një vendbanim i njohur arbëresh në Sicili.
Megjithatë, dokumenti nuk specifikon me kë do të takohen përfaqësuesit e Dragashit, cilat tema do të diskutohen apo çfarë përvojash konkrete synojnë të marrin nga kjo komunë.
Në të njëjtën ditë janë planifikuar edhe vizita në Palazzo dei Normanni, Cappella Palatina, Katedralen e Palermos, Quattro Canti, tregjet tradicionale dhe Monreale.
Dita përmbyllet me darkë, ndërsa të nesërmen delegacioni kthehet në Tiranë.
Hoteli, ushqimi, ciceroni dhe autobusi 24 orë në dispozicion
Përveç itinerarit, dokumenti i paramasës përcakton edhe kushtet e organizimit.
Hoteli duhet të jetë me tri ose katër yje, me akomodim kryesisht në dhoma dyshe, ndërsa parashihen edhe dy dhoma individuale.
Në shërbimet e kërkuara përfshihen transporti, ushqimi, pijet që shoqërojnë racionet, sigurimi shëndetësor, ciceroni gjatë vizitave dhe biletat hyrëse në monumente e destinacione.
Një kërkesë tjetër është që autobusi të jetë 24 orë në dispozicion, sipas kërkesave të delegatëve.
Tri oferta, fituesi vetëm 404 euro nën vlerën e parashikuar
Në procedurën e prokurimit janë pranuar tri oferta.
Operatori “Granit Veselaj B.I.” kishte ofertuar 24 mijë e 400 euro, por oferta e tij është cilësuar e papranueshme.
Kompania “Arditi Tours” SH.P.K. ka fituar me 24 mijë e 596 euro, ndërsa oferta e tretë, nga “Sherif Salihi B.I.”, ishte 24 mijë e 999 euro e 78 centë.
Kështu, oferta fituese është vetëm 404 euro më e ulët se vlera e parashikuar e kontratës.
Në njoftimin për dhënien e kontratës nuk jepen arsyet e hollësishme të shpalljes së ofertës më të lirë si të papranueshme.
Vizitë studimore apo ekskursion me para publike?
Asamblistët komunalë kanë përgjegjësi për miratimin e rregulloreve, buxhetit, planeve dhe vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Për këtë arsye, vizitat studimore mund të jenë të dobishme kur shërbejnë për shkëmbimin e përvojave në qeverisjen lokale, menaxhimin e financave publike, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve komunale.
Por në dokumentet e këtij udhëtimi nuk paraqitet një agjendë e strukturuar studimore, me tema profesionale, takime të konfirmuara institucionale apo rezultate të matshme për Komunën e Dragashit.
Madje, njëri prej dokumenteve mban titullin “ITINERAR TURISTIK SIÇILI”, ndërsa programi i përfshirë në paramasën e tenderit përmban kryesisht të njëjtat aktivitete turistike, me shtimin e vizitës në komunën Piana degli Albanesi. /Kujdestari.info/





