Tubimi i pajtimit në Gjonaj të Hasit, mesazh unifikimi për shqiptarët (FOTO)
Shkruan: Qazim Morina
Tubimi popullor për faljen e gjaqeve i mbajtur në maj të vitit 1990 në Gjonaj të Hasit, që ishte ndër më të mëdhenjtë në Kosovë, bëri jehonë në një kohë të rëndësishme, kur kërkohej ngritja e vetëdijes, unifikimi dhe veprimi i faktorit shqiptar për kundërvënie ndaj tendencave serbomëdha, që kishin për qëllim shfuqizimin e statusit autonom të Kosovës dhe aneksimin e saj Serbisë.
Pas ngjarjeve të rëndësishme në historinë e Kosovës, ndaj përpjekjeve të Serbisë që më vonë edhe suprimoi autonominë e Kosovës, pasoi revolta e minatorëve të Kombinatit «Trepça» në Stan Stantërg të Mitrovicës. Në përkrahje të tyre, studentët e Universitetit të Kosovës u mbyllën në Grevë urie në Qendrën e Studentëve. Procesi më pas karakterizohet edhe me mbylljen e shkollave, helmime, maltretime e vrasje. Fillimi i vitit 1990 ndikoi edhe më tepër në zgjimin e vetëdijes kombëtare. Në shkurt filloi Lëvizja atdhetare e humaniste për faljen e gjaqeve, që kishte marrë përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Nismës së studentëve të prirë nga profesori Anton Çeta, dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, të akademikëve, punëtorëve, fshatarëve, pastaj të aktivistëve, këngëtarëve e poetëve nga mbar trojet tona etnike iu bashkuan edhe studentët nga Hasi.
Karvani që rritej vazhdimisht marshonte për pajtimin e popullit, e për t’i kthyer armiqtë e mëparshëm në miq e vëllezër. Aksionin e kanë përkrahur edhe klerikët e Hasit, përfshirë shehlerët, hoxhallarët dhe priftërinjtë. Gjaqet faleshin për hatrin e atdheut, ndërsa kjo ndikoi edhe në bashkimin e faktorit politik shqiptar.
Dr. Halil Cikaj, njëri ndër koordinatorët e grupit të studentëve hasjanë kujton se përkrah ka pasur shumë të rinj e studentë, ndërsa në mënyrë të pandërprerë janë angazhuar Fadil Mallaku, Sylejman Martini, Nexhat Çoçaj, Kasum Letaj, Liman Shatri, Destan Cakaj, Shyhrete Hoxhaj, pastaj Florie, Ajne, Melihate e Shemsie Çoçaj, Shaban Osmanaj, Lumni Lushaj, Gëzim e Hamëz Duraj, Darsim Qollaku, Sadri Hodaj, Hate e Nazmije Totaj, Gafurr Përvizi, Agim Laqi, Flamur Shehaj, por edhe shumë e shumë të tjerë, studentë të asaj periudhe.
Një grup tjetër vepronte në Hasin e Gjakovës, ku bënin pjesë Asllan Berisha e Gaspër Karaqi (tash dëshmor të kombit), Shyqeri Krasniqi, Avdyl e Afrim Gashi, e të tjerë.
Pjesë e grupit të Pajtimtarëve ishte edhe Bajram Kurti, Shyqeri Shehu e të tjerë nga grupi i Prizrenit.
Çfarë i parapriu manifestimit?
E përkrahur materialisht dhe me mjete ushqimore e në logjistikë, për tre muaj rinia e kësaj ane e mbështetur edhe nga disa pleq vizionar, falë një angazhimi përkushtues bëri punë të madhe, duke hyrë nëpër familje të Hasit dhe në rajonet përreth tij për ta sqaruar misionin dhe kërkuar pajtim. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin, e që linin pas të kaluarën.
Puna e bërë në terren, prej nga ishin shtrënguar shumë duar të hasmuara do të kurorëzohej në një tubim të veçantë, për përgatitjen sa më dinjitoze të të cilit ishin mbajtur disa takime paraprake.
Përpjekjet rezultuan me tubimin popullor në Gjonaj, që ishte ndër më të mëdhenjtë pas atij të mbajtur në Verrat e Llukës së Deçanit, ku jo vetëm populli i Hasit, por edhe i rrethinës tregonte se për atdheun kishte nisur ora më e madhe e historisë, të cilin e dëshmonte entuziazmi, me një vullnet aq të madh, sa që askush nuk i mendonte sakrificat, për shkak të pengesave nga pushteti i atëhershëm jugosllav.
Dr. Prof. Nexhat Çoçaj, që edhe moderoi tubimin qendror në Gjonaj, kujton se manifestimi ishte planifikuar të mbahej në prill, por nuk kishte lejuar policia. “Më pas në koordinim me studentët dhe Këshillin e Pajtimit në krye me Anton Çettën u pajtuam për datën, ndërsa për mbajtjen e tubimit në Gjonaj disa herë u njoftua edhe gjatë tubimit të Verrave të Llukës”, thotë ai.
Për një kohë grupi nuk u kishte hyrë brenda shtëpive të tyre. “Kur na falnin gjakun ne të rinjve, veprim që nuk e kishin bërë para shumë burrave, na jepte shpresa edhe më shumë. Ishte një vullnet që na jepte kurajo të studionim dhe të angazhoheshim”, shprehet ai.
Një natë më parë, grupi i të rinjve me Qamil Kabashin dhe Mic A. Çoçajn fshehurazi me fugon (minibus) të mbyllur kanë sjellë profesor Çettën, i cili ka fjetur në shtëpinë e Zenun Çocajt, tash dëshmor i kombit”.
Për një organizim sa më të mirë dhe mbarëvajtjen e tij ishte mobilizuar pothuajse tërë Hasi, e në veçanti Gjonaj.
Dita e Kuvendit të Pajtimit
Mëngjesin e 2 majit 1990, jo vetëm rrugët e Hasit, por edhe të lokaliteteve tjera të vendit të çonin në Gjonaj, duke mbushur përplot Kodrën e Kalemit, ku arritën mbi 100 mijë veprimtarë e përkrahës të Lëvizjes për Pajtim. Pas kësaj vendi mori emrin “Kodra e Pajtimit”.
Sipas prof. Çoçajt, atë ditë janë falur 12 gjaqe nga Hasi. Në tri raste: në Dedaj, Mazrrek dhe Rogovë ishte refuzuar falja e tyre. Po ashtu aty u falën edhe 27 gjaqe dhe 36 plagë nga rajonet tjera përfshirë Prizrenin, Gjakovën, Përdrininë, Lumën, Vrrinin.
Manifestimi u përcoll me emocione të forta, jo vetëm për shkak të shtrirjes së dorës së pajtimit, përmes të cilës jepej betimi i përbashkët: “Kurrë më gjakmarrje midis shqiptarëve…!” , por edhe nga fjalimet e mbajtura, të përcjella edhe me recitimin e vargjeve të zgjedhura, si dhe interpretimet e këngëve me mesazhe të qarta nga rapsodët.
Nga Kuvendi i Pajtimit doli ideja që të gjithë fëmijët e porsalindur në këtë periudhë të pagëzohen me emrat: Pajtim e Pajtesë.
Në përkujtim të kësaj ngjarje, sot në mënyrë tradicionale mbahet festivali i këngëve dhe valleve burimore “Hasi Jehon”.
Dr. Cikaj kujton se shumë banorë, firma e institucione të kësaj ane e më gjerë, atë ditë ishin mobilizuar për të shpërndarë pa pagesë ushqim e pije për pjesëmarrësit.
Pas manifestimit, një numër i mysafirëve, mes të cilëve edhe disa të huaj, përshirë gazetarë e studentë, ishin ndalur për drekë nëpër shtëpitë e fshatit. Në mbrëmje, studentët që përherë ishin së bashku janë tubuar në një odë të familjes Totaj, në ballë të së cilës qëndronte mësuesi Hisen Totaj, njeriu me autoritet, bashkë me shumë arsimtare të tjerë të Gjonajve.
“Morëm lëvdata të panumërta për organizimin, ndërsa pat fjalë miradije edhe për fjalimin e profesorit Hajdar Mallaku”, kujton Dr. Cikaj, duke treguar se më pas janë takuar edhe një herë, duke propozuar nisjen e një aksioni tjetër, atë që ishte plagë e kahershme, fejesën e vajzave hasjane, që bëhej përmes shkuesisë (msitnive), dhe në shumicën e rasteve kundrejt pagesës së një shume parash.
Këshilli organizativ i Manifestimit vendosi që i gjithë materiali që ishte bërë t’i dorëzohej për botim “Këshillit Qendror për Pajtimin e Gjaqeve”, ndërsa për këtë ishte autorizuar Nexhat Çoçaj.
Meqenëse, deri më tash në vendin e manifestimit të faljes së gjaqeve në Gjonaj nuk është ngritur asnjë monument, në të cilin do të shënoheshin emrat e të gjithë studentëve, pajtimtarëve dhe të atyre që shtrinë dorën e pajtimit, propozojmë që institucionet këtë ta bëjnë vitin e ardhshëm, që njëherësh është jubilar, pasi shënohet 30-vjetori i kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Kjo ngjarje gjithsesi për çdo vit meriton edhe një përkujtim dinjitoz. /GazetaePrizrenit.net/