27-04-2024

“Fake news-at” e Thaçit, Mustafës, Haradinajt e liderëve tjerë për liberalizim të vizave

Më 9 shtator 2017, Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër i Kosovës. E me të ardhur në krye të këtij dikasteri premtoi menjëherë liberalizimin e vizave.

Sa ishte kandidat për Kryeministër nga koalicioni PAN, më 30 maj, kishte premtuar se brenda 90 ditësh do të ndodhë liberalizimi e qytetarët do të udhëtojnë pa viza. Por që atëherë, kujtojmë se janë bërë gati 2 vjet dhe liberalizimi s’ndodhi. Kryeministri mori postin, premtoi, dhe edhe sot, rreth 2 vjet më vonë, vazhdon të premtojë.

“Në takimet e shumta anekënd Kosovës e kam thënë se brenda 3 muajsh Qeveria jonë do ta mundësojë Liberalizimin e Vizave. Edhe sot e përsëriti këtë Zotim: Me Qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Evropën”, kishte shkruar kryeministri Haradinaj në profilin e tij në Facebook në maj të vitit 2017, raporton Koha.net.

Kujtojmë se kryeministri Haradinaj, këtë premtim e bëri në kohën kur kusht për liberalizimin e vizave ishte miratimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Sot, më 2 maj 2019, kryeministri Haradinaj në fakt i uroi kosovarët për liberalizim të vizave.

“Kosovë, urime liberalizimi i vizave”, tha Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ku tha se mori një “PO” nga Gjermania pas takimit me ministrin gjerman të Punëve të Brendshme.

Ishte presidenti Hashim Thaçi, që më 2010 mbante postin e kryeministrit, ai që e nisi premtimin për vizat. Më pas, edhe Isa Mustafa e tash Ramush Haradinaj.

Në vitin 2010, Thaçi u kishte premtuar qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore se gjatë 15 muajve të qeverisjes së tij do të lëviznin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

“Gjatë 15 muajve të mandatit tonë të ardhshëm qeverisës, Qeveria që do ta udhëheq unë, do t’i përmbush të gjitha kriteret demokratike për lëvizje të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa viza në tërë Evropën. Ne si shteti më i ri në botë, shteti i mundësive të mëdha, si evropianet me të rinj do të jemi evropian krenarë në Evropën e bashkuar”, kishte deklaruar Thaçi asokohe.

Edhe në vitin 2013, ish-kryeministri Thaçi deklaroi se javët dhe muajt në vijim, do të jenë vendimtarë për liberalizimin e vizave.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave. Shumicën e kritereve tashmë i kemi zbatuar, kështu që mos të lejojmë asnjë kohë por edhe pjesën e mbetur që të vonohemi në këtë proces, të mos lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”, tha ai.

Kur u tha se viti 2018 përfundimisht do të jetë viti i liberalizimit, ndërkombëtarët u kërkuan liderëve kosovarë mos të nguten në dhënien e datave për liberalizim dhe të mos mashtrohen qytetarët. Por, pavarësisht kësaj, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli tha se 2019-a është përfundimisht viti i liberalizimit të vizave, e kryeministri Haradinaj uroi qytetarët. Edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, është shprehur i bindur për vite me radhë se qytetarët e Kosovës “shumë shpejt” do të lëvizin pa viza.

Edhe në Qeverinë e Isa Mustafës, zyrtarët qeveritarë kishin festuar disa herë liberalizmin e vizave. Atë kohë, ministër i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në maj të vitit 2016, hapi madje edhe një shampanjë në zyrën e tij për të festuar liberalizimin e vizave.

“PA VIZA-2016. Më në fund, ia arritëm të përmbushim edhe një qëllim tjetër për Kosovën. Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo është një tjetër ditë historike në procesin e integrimit evropian. Nga sot po fillon të hapet horizonti evropian para kosovarëve. Ky vendim është rezultat dhe konfirmim i përmbushjes së suksesshme të kritereve të udhërrëfyesit, rezultat i punës së përbashkët të qeverisë, kuvendit dhe institucioneve të pavarura. Mbesim të përkushtuar që ta çojmë këtë proces deri në fund sa më shpejt. Vendimi i Komisionit Evropian, vetëm e përforcon edhe më shumë bindjen time, se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza gjatë këtij viti. Prandaj, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë që ka një gjë e tillë për secilin nga ne, do të punojmë maksimalisht që kjo dite të vjen sa më shpejt. Por sot, të gjithë kemi arsye të ndihemi krenar dhe të gëzuar sepse izolimi ynë mbetet vetëm një kujtim i hidhur i së kaluarës”, ishte postimi i Çollakut në Facebook gjatë festimeve, festë kjo që u kremtua kot.

Atë kohë u shpërndanë urime të shumta mes njëri-tjetrit, madje edhe e uronin Qeverinë Mustafa.

Pas takimit të fundit në Samitin e Berlinit, përsëri, edhe kryeministri Ramush Haradinaj edhe presidenti Hashim Thaçi, u deklaruan se ka shenja që liberalizimi të ndodhë këtë vit. Pritet të shihet se a do të mbahet ky premtim i politikanëve që nisi tash e gati një dekadë.

Asnjë koment

Comments are closed.