U munduan t’i iknin shërbimit ushtarak, studentët arrestohen gjatë provimeve
Dhjetëra studentë që u futën në provimet përfundimtare këtë javë në Turkmenistan janë arrestuar nga personeli ushtarak që po kërkonte persona që e kanë shmangur shërbimin ushtarak, thanë prindërit e tyre dhe dëshmitarët.
Një dëshmitar tha se disa oficerë në rroba civile pritën në dyert e Shkollës N15 në kryeqytet për t’i kapur studentët që dilnin nga objekti, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
“Provimi filloi rreth orës 8 e 30 në mëngjes. Rreth orës 10, katër policë e një oficer nga ushtria arritën në shkollë. Ata nuk ishin në uniformë, ndoshta sepse nuk deshën t’i frikësojnë studentët”, tha dëshmitari.
Shumë nga studentët meshkuj u futën në një automjet për t’u dërguar në një qendër të rekrutimit të pjesëtarëve të rinj në shërbimin ushtarak, shtoi ky dëshmitar.
Me pak përjashtime, deri dy vite shërbim ushtarak janë të detyrueshme në Turkmenistan për burrat e moshës 18 deri 27-vjeçare. Megjithatë, shumë prej tyre mundohen që ta shmangin kryerjen e këtij detyrimi, që karakterizohet me bullizëm dhe kushte të mjerueshme.
Gjatë sezonit për ftesë në ushtri, rekrutuesit shpesh patrullojnë nëpër rrugë, shkolla e aeroporte për të gjetur burra të kësaj moshe që nuk i janë përgjigjur shërbimit ushtarak.
Bastisje të ngjashme ndodhën edhe në shkolla të tjera këtë muaj. Disa studentë arritën të largohen nga shkollat pa u vërejtur, por ushtarët u shkuan në shtëpi në mbrëmje dhe i morën, i thanë Radios Evropa e Lirë disa burime.