Ulen deri në 62 për qind pagat e punëtorëve të Telekomit të Kosovës
Janë ulur deri në 62 për qind pagat e punëtorëve të ndërmarrjes Telekomi i Kosovës, vendim ky i cili do të hyjë në fuqi të premten e 15 majit.
Në një letër të siguruar nga Telegrafi, përmes së cilës ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, i ka njoftuar gjithë punëtorët e ndërmarrjes që e drejton për uljen e pagave.
Vendimi i inicuar nga ushtruesja e detyrës së Kryeshefes Ekzekutive është miratuar edhe nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve gjatë ditës së djeshme.
Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në prezantimin e të arriturave në 100 ditshin e qeverisë së tij, ka thënë se heqja e privilegjeve të shumë pritet t’i kursej buxhetit të vendit mbi 300 mijë euro në vit.
“Në Telekomin e Kosovës janë reduktuar shpenzimet e panevojshme, një prej të cilave është ulja e pagës prej 65 për qind e pagës së ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv. Kursimi i përgjithshëm vjetor, vetëm në këtë kompani publike, është mbi 550 mijë euro”, tha ai.
Letra e plotë:
Ju jam drejtuar dhe zotuar për transparencë maksimale, prandaj sot do të shpalos para juve një vendim të iniciuar sipas kërkesës time (aktualisht: ud Kryeshefe Ekzekutive e Telekomit të Kosovës sh.a.) dhe të miratuar nga Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, me datë 12/05/2020. Ky vendim do të hyn në fuqi nga data 15 Maj 2020 dhe ka impakt direkt në të hyrat tona personale financiare.
Me sinqeritetin më të madh dua që të përçoj deri tek çdonjëri/a nga ju shkallën e vështirësisë por njëkohësisht edhe emergjencën e padiskutueshme të vendimit.
Të shtjelloj në vazhdim: Telekomi i Kosovës sh.a. është i mbytyr në borxhe. Si pasojë e kësaj:
• dështojnë prokurimet për materiale të punës (për shkak të besimit të humbur nga operatorët ekonomik në përmbushje të obligimeve nga ana e ndërmarrjes sonë),
• pasojnë shkëputjet e stacioneve tona bazë dhe pajisjeve telekomunikuese nga rrjeti elektrik dhe degradimi evident i shërbimeve telekomunikuese, për shkak të vonesave të stërzgjatura në pagesa,
• për shkak të borxheve të pashlyera rezultojnë restriksionet në furnizim të derivate për vetura të terrenit dhe gjenerator të pajisjeve telekomunikuese,
dhe si përfundim:
• ndërmarrja mund të përfundoj në duar të përmbaruesve të operatorëve ekonomik të cilët me të drejtë kërkojnë pagesat për shërbimet e tyre të ofruara prej shumë kohe më parë.
Me vite të tëra, të hyrat mujore nuk kanë siguruar as mbulimin e shpenzimeve mujore e le më shlyerjen e borxheve. Duke shtuar këtu edhe vendimmarrjet skajshmërish të gabuara që janë bërë ndër vite, është evidente se gjithçka tjetër mund të quhemi përveç se ndërmarrje Telekomunikuese e shtetit tonë.
Menaxhmenti i ri që nga dita e parë e fillimit të detyrave (24/04/2020) i ka dhënë vetes mision që guximshëm të përballemi me të gjitha sfidat që i kanë ndaluar frymëmarrjen e lirë ndërmarrjes. Kemi vendosur kontrollë strikte në të gjitha shpenzimet operative (përfshirë edhe shpenzimet që në kushte normale të operimet janë më se të domosdoshme). Kemi:
• reduktuara shpenzimet e marketingut (ndërprerja e kontratave të portaleve aktuale),
• reduktuar në nivel minimal shpenzimet për derivate dhe të gjitha shpenzimet e tjera të lidhura me veturat zyrtare,
• vendosur për nisjen e procesit të ristrukturimit,
• ndaluar shpenzimet e udhëtimit,
• planifikuar ndërprerjen e shpenzimeve për sigurime jo të qëndrueshme shëndetësore,
• aktivizuar departamentet përkatëse në arkëtimin e depozitave dhe borxheve të vjetra që i kemi nëpër gjykata,
• përgatitur platformë për negocim të uljes së shpenzimeve nga provizioni i shitjes me partnerë,
• rishikuar të gjitha kontratat që janë lidhur nën kushte jo të favorshme për kompaninë dhe kemi ngritur shqetësime.
Në ndërkohë kemi aplikuar për një hua që e ndan Qeveria e shtetit në ndihmë të ndërmarrjeve publike, të cilat kanë operuar me humbje në kohë të pandemisë ‘Covid 19’. Është punuar intenzivisht në drejtim të arsyetimit të dokumentuar të humbjeve me të cilat jemi përballur gjatë kësaj periudhe kohore. Sidoqoftë, edhe nëse na ndahet vlera e kërkuar financiare, kjo hua nuk e kthen operimin e ndërmarrjes në biznes profitabil. Këto mjete do të përdoren në favor të kërkesave për mbulime të shpenzimeve minimale dhe të kontrolluara të operimit si dhe shlyerjen e një pjese shumë të vogël të borxheve të kaluara. Pas këtij rikuperimi minimal duhet që të angazhohemi me të gjitha forcat dhe kapacitetet e brendshme që të rrisim gjenerimin e të hyrave dhe ti japim kompanisë drejtimin e duhur.
Për ta bërë edhe më të thjeshtë: pa këtë ndihmën financiare të aksionarit jemi jo operacional! E për ta marr këtë ndihmë duhet të japim sinjal se stabilizimin e ndërmarrjes tonë nuk do ta bëjmë vetëm duke sakrifikuar taksat e qytetarëve të shtetit të Kosovës, por edhe përqindjet e konsiderueshme të pagave tona mujore. Vetëm nën këtë përkushtim dhe nën garantim të një plani të sigurt të veprimit afatmesëm mund të pozicionojmë veten në nivel të partnerëve afarist të qartë dhe të kthjelltë.
Duke e konstatuar këtë situatë dhe pasi që kam diskutuar hapur dhe gjatë me të gjitha palët e interesit (punëtorët, sindikatat e pavarura të Telekomit të Kosovës, menaxhmentin) i jam drejtuar Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve (mbledhja nr. 71) dhe kam kërkuar zvogëlimin e përqindjes së koeficientëve të gradave. /Telegrafi/