UPZ-ja në grevë me SBASHK-un, jo me vendim të rektorëve

Pos bashkimit me SBASHK-un në kërkesat për koeficientë në ligjin për paga, universitetet publike nga e marta kanë vazhduar grevën edhe me një vendim të ri të Konferencës së Rektorëve. Megjithatë, kjo nuk vlen edhe për Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Të hënën u mor vendim në Konferencën e Rektorëve që universitetet publike të futen në grevë të përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesës për shkarkim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, që kishte pezulluar 42 drejtime e programe në të gjitha universitetet publike në Kosovë.

Nga kjo konferencë doli kërkesa për shkarkim të ministrit të Arsimit, bordit të KSHC-së dhe shfuqizimin e vendimeve për tërheqje dhe refuzim të akreditimit të programeve që kanë qenë të akredituara.

Megjithatë, Universiteti i Prizrenit nuk po mban grevën për këtë arsye, por vetëm për atë të SBASHK-ut. Zyrtarë të UPZ-së kanë bërë të ditur për Kohën Ditore se UPZ nuk është në grevë me vendim të rektorëve sepse ushtruesi i detyrës së rektorit në UPZ, Ismet Temaj nuk është ftuar në takimin e rektorëve dhe nuk është nënshkrues i deklaratës së përbashkët. Madje ata thonë se ai është dashur të jetë udhëheqës i konferencës.

“Konferenca e Rektorëve e universiteteve publike nuk ka dërguar ftesë për Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, u.d. Rektor në Universitetin ‘Ukshin Hoti’ në Prizren, për këtë arsye nuk ka qenë prezent në mbledhjen përkatëse. Vendimi i Konferencës së Rektorëve është marr pa prezencën e UPZ-së dhe ne nuk jemi pjesë deklaratave që janë bërë në emër të universiteteve publike”, thuhet në një përgjigje të rektoratit të UPZ-së për Koha.net.

Kujtojmë se greva në të gjitha nivelet e arsimit ka hyrë në javën e tretë.