25-11-2024

Valdete Daka emërohet kryesuese e Panelit për Lirim me Kusht nga KGJK-ja

Anëtarët e KGJK-së kanë votuar unanimisht për emërimin e gjyqtares së Gjykatës Supreme Valdete Daka në pozitën e kryesueses së Panelit për Lirim me Kusht dhe gjyqtarit Afrim Shala në pozitën e anëtarit rezerve dhe zëvendës kryesuesit.

Kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj ka thënë se mandati i tyre do të jetë dy (2) vite dhe do të fillojë nga data 26 tetor 2022.

Mbledhja ka vazhduar me autorizimin e Kryesuesit të Këshillit për nënshkrimin e kontratës për zhvillimin e platformës elektronike për gjyqtarë “E-file” në mes të programit të Komisionit Evropian “Eukojust: dhe KGJK-së për zhvillimin e një programi për dosje elektronike për gjyqtarë.

Po ashtu, anëtarët e Këshillit kanë autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së për nënshkrimin e marrëveshjes së nivelit të shërbimit në mes të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për disa shërbime për qytetarët përmes platformës “E-Kosova”.

Drejtori i Sekretariatit, Shkëlzen Maliqi ka thënë se mendohet që në të ardhmën, certifikata e të kaluarës penale dhe pagesat online të realizohen përmes platformës “E-Kosova”.

Në këtë mbledhje janë votuar edhe anëtarët e Komisioneve për rekrutimin e administratorëve të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore në Prizren.

Për komisionin e Gjykatës Komerciale si kryetar i komisionit u përzgjodh Nikola Kabasic ndërsa anëtarë u zgjodhën Fidan Hoxha, Arjeta Sadiku, Mahir Tutuli, Shkëlzen Maliqi, anëtarë rezervë Ardijana Miletic dhe Astrit Hoti.

Për Komisionin e Gjykatës Themelore në Prizren u votua Ardijana Miletic, Vilard Bytyqi, Fahret Veliu, Shpresa Emra, Shkëlzen Maliqi, Arjeta Sadiku dhe Astrit Hoti si anëtar rezervë.

Gjithashtu janë themeluar edhe komisionet për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për administrator të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore në Prizren.

Anëtarët Qerim Ademaj, Zenel Leku, Arsim Hamzaj, Drita Rexhaj dhe Burim Qaka janë votuar si anëtarë të këtyre dy komisioneve.

Pika tjetër e rendit të ditës kishte të bëj me shqyrtimin e kërkesës për ndryshimin e vendimit KGJK.nr.278/2021, të datës 7 tetor 2021 lidhur me përbërjen e anëtarëve të grupit punues për verifikimin dhe auditimin e planit të veprimit për të siguruar kualitetin e të dhënave në SMIL.

Anëtarët Arbnor Tmava dhe Vlera Gashi të cilët janë zgjedhur gjyqtarë, do të zëvendësohen nga Hidajete Leci dhe Tevide Limani.

Për pikën e fundit të diskutimit të hapur, Zogaj ka thënë se Gjykata Themelore në Gjakovë e ka mbyllur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve, mirëpo me rregulloren për zgjedhjen duket se del një përgjegjësi për Këshillin, Gjykatën dhe kryetarin e komisionit të trajnimeve.

Kryesuesi Zogaj ka theksuar që së pari duhet të diskutohet për trajnimin e gjyqtarëve porotë pas procesit të përzgjedhjes dhe pastaj të votohet për emërimin e tyre.

Mbledhja ka vazhduar me diskutimin e pikave të tjera të rendit të ditës e cila ishte e mbyllur për publikun.//E0

Asnjë koment

Comments are closed.