23-11-2024

Varroset me nderime të larta kapiteni i FSK-së, Sejdi Krasniqi

Me nderime të larta ushtarake e qytetare, sot është varrosur në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, eprori i FSK-së dhe ish luftëtari i Lirisë, Sejdi Krasniqi, i cili ndërroi jetë dje në moshën 55 vjeçare, pas një sëmundje që kishte.

Familjarë, të afërm, miq, bashkëluftëtarë, qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, të hënën i kanë dhënë lamtumiren e fundit , kapiten Sejdi Krasniqi, komandant i Njësisë së Deminimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së në Prizren, i cili ka qenë edhe veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish epror i UÇK-së.

Para ceremonisë së varrimit, në shtëpinë e kulturës ” Xhemajli Berisha”, është mbajtur edhe një akademi komemorative. Komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, Enver Cikaqi, tha se i ndjeri, Sejdi Krasniqi, i cili rrjedh nga një familje atdhetare, ka qenë veprimtar i devotshëm për Lirinë e Kosovës qysh në kohët e hershme, duke dhënë kontribut të madh në luftë, e më pas edhe në ngritjen dhe zhvillimin e TMK-së e cila më pas është transformuar në FSK.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, një fjalë rasti e ka mbajtur sekretari i OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, i cili tha se sot po ndahemi nga një bashkëluftëtar i cili dha kontribut të madh në luftën çlirimtare, e cila solli Lirinë e Kosovës. Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se ndarja nga jeta e Sejdi Krasniqit, Prizreni dhe Kosova humbën luftëtarin dhe profesionistin ushtarak të dalluar.

Në emër të familjes, ka folur djali i të njerit, Arbnori, i cili tha se familja krenohet që kishte një anëtar të saj të tillë, i cili për veprat e tij jetësore po nderohet nga miqtë e bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e popullit. Më pas, është organizuar ceremonia e varrimit e të ndjerit, në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Kapiten, Sejdi Krasniqi, ishte komadant i Kompanisë së Deminimit në FSK-së, ndërsa, gjatë luftës në Kosovë, ai ka qenë epror i lartë i Brigadës 128-të të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut./tvprizreni.(fotot: kosovapress)

Asnjë koment

Comments are closed.