Vërejtje gjyqësore teknikut në Opojë, që pranoi se nuk ia dha çelësin e shkollës drejtorit
Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, i ka shqiptuar vërejtje gjyqësore, të akuzuarit për vetëgjyqësi Liman Jusufi.
Aktgjykimin ndaj tij e ka shpallur gjyqtari i çështjes, Bekri Vehapi, pasi që i pandehuri Jusufi, e ka pranuar paraprakisht fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari Vehapi, e ka obliguar të pandehurin edhe me shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 30 euro në emër të fondit për viktimat e krimit.
I pandehuri e ka pranuar fajësinë, pasi që është njoftuar paraprakisht me të drejtat procedurale , dha ka deklaruar se i vjen keq për atë që ka ndodhur.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Milot Krasniqi, pasi që siç ka thënë ai, është në përputhje me aktakuzën dhe provat në të cilat mbështetet aktakuza.
Sipas aktakuzës së ngritur më 15 korrik 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Liman Jusufi akuzohet se më 8 qershor 2019, me dashje, në mënyrë arbitrare, e ushtron të drejtën që mendon se i takon.
Në aktakuzë thuhet se duke qenë në pozitën e punëtorit teknik në shkollën fillore “Ilmi Batjarit” në Zgatar, e i cili kishte çelësat e shkollës, derisa ishte në pushim dhe kur drejtori i shkollës, Naser Meleqi ia kërkon çelësin për të hapur derën e objektit të shkollës për mbajtjen e manifestimit “Sofra e Ymer Prizrenit”, ai refuzon t’ ia jep çelësin, ku më pas për ta realizuar ketë manifestim, drejtori i shkollës thyen një xham të dritares, hyn brenda dhe hap derën e shkollës.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vetëgjyqësia”, e paraparë në nenin 340, paragrafi 1, e KPRK-së. /BetimipërDrejtësi