23-07-2021

Verërat e Rahovecit, të preferuarat e Zvicrës

Secila shishe është e mbushur me 365 ditë djersë dhe mund.

Kështu e cilëson punën e palodhshme deri në paketimin final të shishes, pronari i “Labi Wine”, Labinot Shulina.

Të vizitosh Rahovecin e të mos hasësh në një trashëgimtar verarie apo vreshtarie është e pamundur.

E edhe familja Shulina, prodhimtarinë e verës e ka të trashëguar ndër vite.

Puna është e domosdoshme, por jo vetëm. Cilësia e verës varet edhe nga rrushi e kushtet klimatike në të cilat është kultivuar ai.

Si pije aristokrate që është, pronari thotë se duhet pirë me masë e jo të tepruar.

Nëse pihet në formë të moderuar, të mirat që vijnë nga vera janë të shumta.

Edhe vera e kuqe edhe ajo e bardha kanë karakteristika të veçanta dhe pihen në kohë e rrethana të ndryshme.

Chardonnay, Grand Rahova e Vranç janë disa nga emrat e verërave të prodhuara në verërinë “Labi Wine”.

Secila shishe ka karakteristika të veçanta, por e përbashkëta është stema e luanit qe simbolizon Mbretërinë e Dardanisë.

E prodhimtarinë e verës së Rahovecit, më së shumti po e shijojnë të huajt.

Sipas Shulinës, shqiptarët nuk janë edhe aq të informuar për cilësinë e verës, andaj edhe prodhimet e tij i eksporton në shtetet evropiane.

Që cilësia është e lartë, këtë e vërtetojnë edhe medaljet e çmimet e fituara në festivale të ndryshme evropiane.

Prodhimtaria po vazhdon e edhe cilësia po, mirëpo të gjitha shpenzimet po mbulohen nga vetë pronari.

Ai thotë se shteti i ka harruar bizneset e vogla e kërkesën për mbështetje po e drejton tek institucionet përkatëse.

E për të shijuar shijet unike të verërave është një procedurë e gjatë që fillon nga vjelja e rrushit deri te paketimi i shishes dhe që merr kohë 24 muaj./koha.net

https://www.koha.net/sot-ktv/280906/vererat-e-rahovecit-te-preferuarat-e-zvicres/

Asnjë koment

Comments are closed.