24-11-2024

Veseli: Fat i mirë për PDK-në, që disa do të shkojnë nga partia

Partia Demokratike e Kosovës pas zgjedhjeve të brendshme, që do t’i mbajë së shpejti, do të dalë një parti krejt ndryshe se që është tani.

Kryetari i kësaj partie Kadri Veseli  thotë se në PDK nuk do të ketë vend për ata që janë të korruptuar dhe që kanë dëmtuar PDK-në, ndërkohë që thotë se është fat i mirë që disa prej atyre që e kanë dëmtuar partinë tash nuk janë më.

“Duhet pranuar edhe një fakt, ka shumë individë të cilët e kanë keqpërdor PDK-në, pastaj janë munduar të abuzojnë, pikërisht kanë abuzuar me PDK-në, pastaj e kanë sulmuar PDK-në. Janë shumë, të cilët sot i keni edhe shumë aktivë në skenën politike kosovare. Fat i mirë që nuk janë me ne edhe fat i mirë edhe disa të shkojnë, por, fat i mirë se shumë të tjerë të mirë do të vijnë dhe ne do të jemi të fuqishëm për Kosovën. Motivi, ideali, filozofia politike e PDK-së nuk është konflikti, është mirëqenia e qytetarëve, është zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit ligjor dhe për këtë do të jemi pa kompromis”, tha Veseli, raporton KP.

Veseli thotë se zgjedhjet në PDK do të jenë shembull i një procesi zgjedhor në Kosovë. Sipas tij në PDK do të ketë një gërshetim i gjeneratave.

Sipas kryetarit të PDK-së  do të vazhdojnë bashkë me ata të cilët janë kontributdhënësit e fuqishëm të zhvillimit të PDK-së, ndërsa fton të të rinjtë të të gjitha profileve që t’i bashkëngjiten PDK-së.

Sipas Veselit, PDK është pjesë e transformimit rrënjësor që është bërë në Kosovë tash e dhjetë vjet.

“Kosova jonë shtet i pavarur dhe sovran dhe partia të cilën e drejtoj unë, për 10 vite kemi bashkërrugëtuar në një transformim rrënjësor të këtij vendi. Në momentin kur po flasim Kosova jonë, me vendet e Ballkanit Perëndimor, në shumë aspekte ka gjendjen më pozitive edhe sociale, edhe infrastrukturore edhe statusin të cilin e kanë qytetarët tanë qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat. A ka për t’u bërë ma shumë? Po. A kemi pasur gjatë këtij rrugëtimi gabime? Po. Ka pak zhvillime pozitive në vendin tonë të cilat kanë ndodhur pa PDK-në. Kosova dhe PDK kanë lëvizur bashkërisht, po flas si shtet. Por, në të njëjtën kohë, gabimet në proces, të cilat lidhen me korrupsionin janë evidente. Unë do të jem me të tillët i patolerueshëm dhe në të njëjtën kohë do të ecim përpara”, tha Veseli./rtk

Asnjë koment

Comments are closed.