27-07-2024

Në “Shtëpinë e pleqve” në Prizren parashihet sistemimi i 30 personave

Vitin e ardhshëm edhe Prizreni do të ketë Shtëpinë e Personave të Moshuar, e njohur ndryshe edhe si Shtëpia e Pleqve, në të cilën ka kapacitet për vendosjen e 30 personave, për një qëndrim tërëditor, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Ndërtimi i objektit të Shtëpisë së Personave të Moshuar dhe Pa përkujdesje familjare,  buxhetit të komunës i ka kushtuar rreth 330 mijë euro.

Musa Jorganxhiu, nga shoqata e pensionistëve në Prizren, ka thënë se sa më parë ka nevojë për finalizimin e këtij projekti, për t’i dalë në ndihmë kësaj kategorie të popullatës.  “Prizreni është i vetmi qytet pa një shtëpi të tillë. Këtë problem ia patëm shtruar edhe ish-kryetarit Ramadan Muja, ndërsa kemi shpresë së tashmë ky projekt do të konkretizohet me kryetarin e ri të komunës”, ka thënë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Drejtori komunal për Mirëqenie sociale në Prizren, Fejzë Kabashi, ndërkaq ka thënë se punimet rreth projektit po vazhdojnë sipas planifikimit buxhetor për këtë vit, ndërkohë që punët rreth ndërtimit të vrazhdë kanë përfunduar.

Shtëpia dykatëshe që po ndërtohet në lagjen “Daradania” në Prizren, fillimisht ka kapacitet  për 30 shtretër për një qëndrim 24 orësh.

Në kohën, kur pat nisur projekti u tha se për mënyrën e funksionimit të saj është propozuar modeli i projekteve të ngjashme në Shqipëri, por ende nuk ka asgjë definitive.

Sa i përket kritereve të vendosjes së banorëve, drejtori Kabashi, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net” se ministria përkatëse ka premtuar ndihmë në planin e menaxhimimit dhe se aty do të parashihen të gjitha hollësitë.

Projekti ka nisur më parë, ndërsa kah mesi i vitit 2019 parashihet që objekti të jetë i gatshëm dhe të bëhet funksional me gjithë infrastrukturën përcjellëse./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.