25-04-2024

Veseli në Prizren takon fermerët, bën disa premtime

Kreu i PDK’së, Kadri Veseli, sot ka vizituar fermerët e Prizrenit. Nga aty ai ka thënë se këta fermerë por edhe të tjerët në mbarë Kosovën do të kenë përkrahje të madhe nga ana e tij

Veseli ka shkruar në Facebook se do të rriten investimet në sistemet e ujitjes dhe do të rritet kapitali i Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive.

“Fermerët e Prizrenit, që sot i takova, por edhe të gjithë Kosovës, në qeverisjen time do të kenë përkrahje shumë më të madhe. I kuptojmë nevojat e tyre, prandaj edhe do t’i rrisim investimet në sistemet e ujitjes, do ta rrisim kapitalin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive dhe do ua subvencionojmë deri në 80 për qind interesin e kredive për prodhim”, ka shkruar Veseli

Ai ka shtuar se do t’i sigurojë produktet bujqësore dhe do të investojë në ndërtimin e infrastrukturës moderne për grumbullimin, ruajtjen dhe paketimin e prodhimeve bujqësore.

“I kuptojmë rreziqet e punës, prandaj edhe do t’i sigurojmë produktet bujqësore dhe do të investojmë më shumë në ndërtimin e infrastrukturës moderne për grumbullimin, ruajtjen dhe paketimin e prodhimeve bujqësore. Prodhimet bujqësore të tokës sonë do t’i përkrahim dhe në tregun e brendshëm përmes Ligjit të Përkrahjes së Produkteve Vendore”, ka shkruar Veseli.

Asnjë koment

Comments are closed.