Veseli nga Ortakolli dhe Korisha e Prizrenit premton ashpërsim të masave për të korruptuarit dhe kriminelët
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka prezantuar vizionin e tij qeverisës sonte edhe në Ortakoll dhe Korishë të Prizrenit.
Ai ka premtuar se do të ndërtojë një sistem më efikas të drejtësisë, i cili do të jetë shumë i ashpër me korrupsionin dhe krimin e organizuar, njofton Klan Kosova.
”Para mbështetësve të shumtë të Ortakollit dhe Korishës në Prizren prezantova vizionin tim qeverisës, i cili objektiv kryesor e ka konsolidimin e sundimit të ligjit, duke ndërtuar një sistem efikas të drejtësisë që do të jetë shumë i ashpër me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Me zbatimin e Planit Kundër Korrupsionit, sistemi i reformuar i drejtësisë do të garantojë paprekshmërinë e pronës dhe zbatueshmërinë e kontratës, duke krijuar një klimë biznesi të drejtë, transparente, të sigurt dhe të parashikueshme.
Vetëm kështu mund ta forcojmë besimin te bizneset e ligjshme, që interesat e tyre do të mbrohen nga shteti dhe t’i nxisim ato të investojnë për të hapur vende të reja pune. Vetëm përmes luftës kundër korrupsionit mund t’u krijojmë mundësi të rinjve tanë dhe ta ndërtojmë një shtet të zhvilluar, me të cilin të gjithë do të krenohemi”, ka shkruar Veseli.