Veseli: Sa më e madhe PDK-ja, aq më e fortë do të jetë Kosova

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të dielën pasdite mori pjesë në ceremoninë e hapjes së garës së brendshme zgjedhore.

Ai u ka bërë thirrje nga Prizreni gjithë intelektualëve, punëtorëve dhe të rinjve të Kosovës që t’i bashkohen PDK-së gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, duke i garantuar se në Dekadën e Re, PDK do të jetë partia më e fuqishme e cila do ta zhvillojë dhe forcojë Republikën e Kosovës.

“Sa më e fuqishme Partia Demokratike e Kosovës, aq më e fuqishme do të jetë Kosova. Jemi në një proces zgjedhor demokratik. Jemi shembull për zgjedhje. Do të jetë proces i hapur e transparent dhe nga qyteti i Prizrenit thërras të gjithë intelektualët, akademikët, mjekët, punëtorët, minatorët, bujqit, t’i bashkngjiten vizionit të Dekadës së Re të Partisë Demokratike. Të marrin përgjegjësi për të mirën e familjeve të tyre, për të mirën e Kosovës”, tha Veseli.

Lideri i PDK-së ftoi të gjitha strukturat e partisë që të hapen për kuadrot e reja që kanë shprehur vullnet ti bashkohen PDK-së.

“Kosova ka perspektivë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kosova do të ecë përpara. Na nevojitet përkrahja e çdo qytetari që dëshiron të punoj për të mirën e vendit. Merrni përgjegjësi, angazhohuni gjithë bashkërisht për arsye se nuk ka askush që mund ta ndalë Kosovën”, ka deklaruar Veseli në Prizren.

Ai tha se PDK do të jetë parti me përfaqëesuesit e saj më të mirë në gjithë Kosovën.

“PDK do të ketë brenda vetes në strukturat e saj njerëzit më të mirë të secilës lagje, secilit fshat, secilit qytet sepse PDK është një familje e madhe e cila garanton zhvillim dhe integrim të Kosovës”, tha Veseli.

Të dielën kryetari i PDK-së ka vizituar edhe degët e Dragashit dhe Suharekës, ku ka hapur procesin zgjedhor brenda partiak.

Në të gjitha takimet me struktura, ai ka përcjellur mesazhin për hapjen e partisë për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin përgjegjësi për ti shërbyer vendit nëpërmjet platformës politike të Partisë Demokratike e Kosovës./GazetaePrizrenit.net/