Vetëdorëzohen në polici vëllezërit e arratisur në Prizren
Janë arrestuar dy vëllezërit me inicialet F. S dhe B. S të cilët ishin në arrati prej një muaji.
Sipas policisë së rajonit të Prizrenit, dy vëllezërit dyshohen për veprat penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe vrasje në tentativë. Ata janë dorëzuar në polici me vetë dëshire.
“Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës e më pas është informuar edhe prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor”, thuhet në njoftim.
Ngjarja kishte ndodhur më 20 qershor, në mesnatë në rrugën “De Rada”. Në atë kohë ishte arrestuar një person. Dy grupet rivale patën shkëmbyer gjuajtje me armë zjarri me ç’rast në vendin e ngjarjes ishte gjetur një pistoletë dhe nga tre të dyshuarit ishte paraqitur në polici për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Referuar njoftimit të policisë të datës 26 qershor, i dyshuari e ka dorëzuar një pistoletë me tre fishekë e cila dyshohet të jetë përdor në incident.
I dyshuari ishte intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe pas intervistës, me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti ishte ndaluar nën masën e arrestit.