Vetëvendosje taksën në Rrugën e Kombit e quan “plaçkitje”
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Shqipëri ka kërkuar që të hiqet taksa në “Rrugën e Kombit”.
Përmes një njoftimi, VV vlerëson se qeveria Rama po lumturon ata që janë kundër bashkimit kombëtar, ndërsa po pengojnë zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe po rrisin pabarazinë dhe mirëmbajnë padrejtësitë.
“Tarifat e larta përbëjnë shkelje të së drejtës së lëvizjes së lirë, duke qenë se udhëtarëve u mungon rruga alternative. Sipas Instatit, në muajin e parë të vendosjes së tarifave, numri i hyrjeve të shqiptarëve të Kosovës u ul me 11%, në raport me të njëjtin muaj një vit më herët, ndërsa hyrjet në maj të këtij viti kanë rënë me 19%”, thuhet në njoftim.
VV thotë se në kohën kur Kosova i ka vendosur tarifë 100% të gjithë mallrave të Serbisë, qeveria e Shqipërisë ka bërë një gjest aspak të pjekur, me vendosjen e tarifave tek i vetmi korridor që i lidh në çdo aspekt dy Republikat shqiptare.
“Tarifat e larta të vendosura në “Rrugën e Kombit” nga qeveria Rama lumturojnë ata që janë kundër bashkimit kombëtar, pengojnë zhvillimin e ekonomisë kombëtare, rrisin pabarazinë dhe mirëmbajnë padrejtësitë.
Publiku e di që nisma për kontratën koncensionare të këtij aksi rrugor ka nisur nga qeveritë e mëhershme, para vitit 2013, por realizimi i saj u bë pikërisht vitin e kaluar, me këtë qeveri, që nuk kishte nevojë të ndiqte të njëjtën linjë, e aq më pak të vendoste tarifa kaq të larta.
Dy kompanitë koncensionare “Kastrati sh.a.” dhe “Salillari sh.p.k.” vjelin 10 Euro vajtje-ardhje për veturat dhe 45 Euro për kamionët. Këto tarifa janë të larta edhe në krahasim me tarifat rrugore të shumë prej vendeve të zhvilluara të BE-së, e jo më për pjesën dërrmuese të shqiptarëve që kanë disa herë më pak të ardhura, e jetojnë me më shumë vështirësi.
Rreth 10 milion Euro kanë qenë fitimet e nxjerra prej dy kompanive vetëm për tre muaj e gjysëm në fund të vitit të kaluar, përmes parave të buxhetit të shtetit dhe tarifave.
Trau i kësaj rruge është një kufi i dytë që pengon lëvizjen e lirë në rrafshin horizontal, dhe kontribuon në dëmtimin e mobilitetin shoqëror në rrafshin vertikal.
Tarifat e larta përbëjnë shkelje të së drejtës së lëvizjes së lirë, duke qenë se udhëtarëve u mungon rruga alternative. Sipas Instatit, në muajin e parë të vendosjes së tarifave, numri i hyrjeve të shqiptarëve të Kosovës u ul me 11%, në raport me të njëjtin muaj një vit më herët, ndërsa hyrjet në maj të këtij viti kanë rënë me 19%.
Por ky largim është shumë më tepër sesa thjesht më pak të ardhura. Qeveria e Shqipërisë duhet të kuptojë se shqiptarët e Kosovës për Shqipërinë nuk janë thjesht përqindje në statistika.
Fitimet për dy kompanitë kanë qenë stratosferike. Prandaj, trau funksionon edhe si pengesë e shtuar vertikale ekonomike.
Ata që tashmë kanë shumë, kompanitë koncensionare, po fitojnë edhe më shumë prej atyre që kanë shumë më pak. Praktika të tilla si Partineriteti Publiko-Privat (PPP) janë në funksion të modelit neoliberal që pasuron edhe më shumë të pasurit, dobëson shtresën e mesme dhe varfëron edhe më tej të varfërit, duke u bërë pengesë e shtuar në mobilitetin vertikal shoqëror të shtresave më në nevojë.
Ndërkohë që të varfërve ua ka shtuar tarifat, kjo qeveri të pasurve ua ka ulur taksat në fitimet e nxjerra prej dividendëve.
Organizimi në protesta kundër kësaj padrejtësie të kthyer në model qeverisës ka qenë e mbetet i drejtë. Mirëpo, më 23 korrik të këtij viti, prokuroria e vendosur në funksion të pushtetarëve biznesmenë dhe biznesmenëve me pushtet që kontrollojnë politikat, kërkoi dënim me burg për 8 qytetarë të Kukësit që kishin protestuar kundër tarifave të qeverisë Rama.
Në një shtet që interes kryesor ka fitimin e biznesit të madh, si në rastin e tarifave të “Rrugës së Kombit”, vjedhja me letra që u bëhet qytetarëve mbetet e pandëshkuar, prandaj tentojnë të ndëshkojnë qytetarët që kundërshtojnë.
Sistemi gjyqësor, që nuk kapë asnjë peshk të madh grabitqar, tenton që t’i bëjë peshk qytetarët, duke i hedhur rrjetat e një drejtësie selektive.
Shqiptarët nuk e kanë harruar taksën “Majko”, që mori 200 milion Euro për “Rrugën e Kombit” por më tej u avullua, dhe as ndërtimin e mëvonshëm të kësaj rruge me kosto abuzive që shkuan në 1.2 miliardë Euro nga buxheti.
Por, njëkohësisht nuk harrojnë se paguajnë 27 lekë për çdo litër nafte pëmes taksës së qarkullimit, e cila vjet mblodhi 159 milionë Euro për mirëmbajtjen e rrugëve.
Pretendimi se Qeveria nuk ka fonde për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” bie kur merret parasysh se nga kjo taksë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka raportuar zyrtarisht se ka shpenzuar 123 milion Euro për mirëmbajte, borxhe, sinjalistikë, emergjenca dhe gjithçka që lidhet me rrugët.
Dhe sërish, nga taksa e qarkullimit kanë tepruar 19% e parave të grumbulluara, për të cilat nuk dihet se ku kanë vajtur.
Fjalët e mëdha, në mbledhjet e dy Qeverive, janë pasuar nga vepra të vogla apo nga devijimi prej premtimeve fillestare drejt masave që cenojnë kohezionin e politikave kombëtare dhe ekonomike.
Në kohën kur Republika e Kosovës i ka vendosur tarifë 100% të gjithë mallrave të Serbisë, qeveria e Shqipërisë ka bërë një gjest aspak të pjekur, me vendosjen e tarifave tek i vetmi korridor që i lidh në çdo aspekt dy Republikat shqiptare.
TAKSAT E RRUGËS SË KOMBIT
Mjetet me 3 rrota 2.5 euro
Mjete me 4 rrota 5 euro
Mjetet me 6 rrota, autobusët 11 euro
Mjetet e rënda, kamionët 26 euro
Mjetet e rënda, kategoria H 23 euro”, thuhet në njoftim