Vetëvendosje e “tundi” në votime Hasin e kryetarit Totaj, duke e mundur edhe në fshatin e tij
Vetëvendosje e ka “tundur” në votimet e të dieles, Hasin e Prizrenit, rajonin prej nga vjen kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj dhe drejtori për Kulturë, Rini e Sport, Adem Morina.
Për më keq, VV pa pasur fare kandidat për deputet nga kjo zonë, i ka mundur keq Totajn e Morinën edhe në fshatrat e tyre, në Gjonaj e Kushnin.
Nga publikimet e raporteve, del se VV ka marrë vota më shumë se të gjitha partitë tjera atje.
Në total VV në Has ka marrë 2.678 vota, ndërsa PDK e Totajt më pak se gjysmën e saj, apo 1.268, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Në vendlindjen e Totajt, në Gjonaj, madje PDK ka dalë e treta me 316 vota, pas VV-së me 724 e LDK-së me 342 vota, derisa në Kushnin, vendlindjen e Morinës së PDK-së, VV ka marrë trefish vota më shumë apo 320, derisa PDK ka numër të barabartë të votave me LDK-në, 100 sosh.
VV nuk ka pasur asnjë kanddiatë për deputet nga Hasi, ndërsa PDK ka garuar me Drita Qenajn.
Sipas raportit VV ka fituar bindshëm edhe në Prizren, përkundër vetlavdërimit të Totajt për projekte të realizuara, sidomos në rregullimin e qendrës, të cilën shumëkush dhe opozita e vlerëson si investim përreth shtëpisë së kryetarit, për t’ia rritur vlerën asaj.
VV në Prizren ka marrë 40 %, ndërsa PDK 22%. / Gazeta e Prizrenit.