23-11-2024

Vetëvrasjet në Prizren: Psikiatri Fanaj thotë se Kosovës i mungon strategjia për parandalim

Rastet e fundit të vetëvrasjes së dy nxënësve, që ndodhën në harkun kohor prej një jave, përbëjnë alarm për shoqërinë, shkruan “Gazeta e Prizrenit.net”.

 

Të dy rastet me skenar të njëjtë të dhënies së fund të jetë, të dyja vajzave, të të njëjtës klasë, në të njëjtin lokacion përbën një shqetësim dhe njëkohësisht alarm për institucionet, të cilat merren me këtë veprimtari, por edhe familjet.

 

Rastet tashmë kanë ndodhur, por çfarë duhet bërë që skena të tilla të mos përsëriten.

 

Dr. Naim Fanaj, psikiatër, që ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore ndërkombëtare, thotë se fenomeni i vetëvrasjeve është kompleks, ndërsa në 90 % të rasteve faktorë mund të jenë çrregullimet mendore të ndryshme, por dinamika e një vendimi për vetëvrasjen ndonjëherë ka edhe faktorë situacional stresues intenziv që mund të ngushtojnë pamjen e perspektivës jetësore për një person.

 

“Po të kemi parasysh moshën e adoleshencës, që karakterizohet me stuhi-furtuna psikologjike faktorë të tillë situacional mund të peshojnë shumë. Ndonjëherë nëse i referoheni rastit të fundit mund të vjen në shprehje edhe “fenomeni i Verterit” ku pas publikimeve të një rasti të vetëvrasjes edhe persona të tjerë me mendime vetëvrasëse lehtazi imitojnë veprime të tilla që mund të jenë fatale”, ka thënë ai për portalin “Gazeta e Prizrenit.net”.

 

Sipas tij, Kosova ka një rritje të numrit të vetëvrasjeve viteve të fundit. “Mendoj se kjo është e pashmangshme kur kemi parasysh dinamikat në shoqërinë tonë në tranzicion politik, shoqëror, moral e politik. Kosovës i mungon një strategji nacionale në parandalimin e vetëvrasjes dhe po ashtu nuk  kemi programe publike parandaluese”, ka thënë Fanaj.

 

Ai porosit gazetarët që të jenë të kujdesshëm në këto raste të raportimit dhe gjithnjë duhet të theksojnë se faktori i çrregullimit psikologjik është faktori kryesor dhe se po ashtu të bëjnë thirrje për të kërkuar ndihmë personat me probleme psikologjike të tilla.

 

Derisa ende nuk dihet asgjë rreth motivit të rasteve, konsiderojmë se masat për parandalimin e rasteve janë tepër të nevojshme dhe ato duhet të jenë të shpejta, për të ndikuar në formë preventive,  sidomos tashmë kur ndodhemi në prag të përfundimit të vitit shkollor, kur të nxënësit për shkak të rezultateve në mesim rritet stresi dhe gjendja emocionale bëhet më e ndishme.

 

Gjithsesi situata kërkon intervenim. Në Prizren ekziston Këshilli për Siguri Bashkësi, në të cilin bëjnë pjesë akterë të fushave të rëndësishme, andaj edhe Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, si kryesues i këtij organi duhet urgjentisht ta mbledh këshillin, jo vetëm me qëllim të analizimit të gjendjes, por edhe marrjes së masave parandaluese, ku secili duhet të veprojë sa më parë në sektorin e tij.

 

Në këtë drejtim duhet të veprojnë edhe institucionet tjera shëndetësore, për të mbajtur ligjërata dhe biseduar më fëmijët nëpër shkolla./Gazeta e Prizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.