Vetëvritet ish-ushtari i UÇK-së, që hidhet nga largësia prej 15 metrash
Kishte dy muaj që po trajtohej në klinikën e Neuropsikiatrisë në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Por, ish-luftëtari i UÇK-së, Nazim Krasinqi, 44 vjeç u vetëvra duke u hedhur nga 15 metra lartësi në urën e Meqës në Gjakovë, pasi iku nga spitali.
Lufta e fundit në Kosovë e gjeti në krye të frontit, Nazim Krasniqin. Ai, si 24-vjeçar kishte marrë rrugën për në luftë me idealin për çlirimin e Kosovës. E kur në vend u arrit liria, Nazimi i mori jetën vetës duke u hedhur prej 15 metrave lartësi.
Dhjetëra persona pasditen e sotme kishin marrë rrugë drejtë shtëpisë së ish-luftëtarit të UÇK-së. Ata në dhimbje po e varrosnin Nazim Krasniqin, i cili dje ia morri jetën vetës duke u gjuajtur nga ura e Meqës në Gjakovë.
Axha i tij, Ahmet Krasniqi tha se rasti tragjik ndodhi pasi që nuk ju mundësua trajtimi i duhur mjekësor.
“Traumat shumë të mëdha i ka pas gjatë luftës, s’ka arrit të shërohet deri në fund deri sa ja mori vetes jetës. E kujtojmë si djalë të mirë, djalë që e ka dashtë atdheun, shoqërinë, por gjatë luftës e këndej ka pas probleme traumatike”, deklaroi ai.
“Gjatë luftës ka kaluar kufirin, Pashtrikun disa herë për furnizim me armatim atë e dinë krejt regjioni. Dëme materiale pas luftës i ka pas shumë të mëdha, edhe babai ju është vrarë në një masakër gjatë luftës. Çdo ditë, çdo ndodhi ja ka keqësuar shëndetin edhe më shumë. Ka qenë nën trajtim mjekësor ndoshta jo adekuat. Ditëve të fundit ka qenë shumë i heshtur, kemi pi kafe bashkë, po në muhabet nuk u thellu veç përshëndetje, si në kujtime. Javën e kaluar ka tentua me e lëndua veten, por e kemi ndalu.
Në kohën e fundit ka qenë i shtrirë në spital në Gjakovë. Dje kam fol për herë të fundit me to. Mirë më ka thënë që po ndihet, s’ka fjet natën po diçka tjetër ka thanë që mirë” tha familjari Besim Krasniqi.
“Dje rreth orës 14:45 na ka njoftuar policia se një person, supozohet se është hedhur nga ura e Meqës. Ne kemi dal në vend të ngjarjes. Viktima u gjet nën urë në një lartësi 15-17 metra nga ura i shtrirë. Nga familjarët mësuam se i njëjti ishte i shtrirë në spitalin e Gjakovës në repartin e Neuropsikiatrisë, por shkaqet e ikjes nga spitali nuk i dimë. Mjeku kujdestar i qytetit ka konstatuar vdekjen e tij, por, meqë bëhet fjalë për rrethana të dyshimta trupi është dërguar për autopsi” tha prokurori Xhavit Osmani.
Mirëpo, në Klinikën Neuropsikiatrike ku i ndjeri po trajtohej e nga ku edhe iku nuk dhanë asnjë detaj duke mos bërë të ditur a iu ishte keqësuar gjendja pacientit apo e kundërta.
Nazim Krasniqi, veteranit i UÇK-së, u varros të mërkurën në varrezat e fshatit Çifllek të Rahovecit. I ndjeri ishte i martuar dhe ka lënë pas 4 fëmijë./express