Viti i ri 2022 nis me ulje të çmimit të rrymës në Evropë
Një ulje e konsiderueshme e çmimeve të rrymës ka nisur në ditët e para të vitit 2022. Pas shifrave rekorde që çuan në krizë energjetike në botë, e të ndjeshme edhe në Kosovë, të dhënat e fundit kanë treguar për ulje të çmimeve në tregun evropian.
Si pasojë e çmimit të lartë të rrymës të cilën KEDS-i duhej ta importonte për të mbuluar ditët kur konsumi i energjisë ishte i lartë, Kosova hyri në krizë energjetike. Qytetarëve iu rikthyen reduktimet e rrymës, ndërsa institucionet shpallën gjendjen emergjente.
KEDS-i pati njoftuar për ngritjen enorme të çmimeve të energjisë qysh në fillim të dhjetorit, kur tregoi se në nëntor çmimi për MWh kushtonte nën 300 euro, rritje prej mbi 350 për qind prej vitit të kaluar.
Rënia e çmimeve ishte paralajmëruar nga institucionet, por ekspertët ishin shprehur skeptikë se kriza do të tejkalojë deri në pranverë.