Viti i Skënderbeut dhe ideja për ngritjen e dy monumenteve në Prizren
Shkruan: Nue Oroshi
Ky vit është viti i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Pasi që jemi në shtator, muajin e nëntë të këtij viti deri me tani nuk është treguar ndonjë aktivitet konkretë i cili do të qonte përpara figurën e madhe të kryeheroit tonë kombëtarë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Nga akademitë dhe sesionet shkencore të mbajtura më i kompletuari ka qenë ai që ka organizuar më 28 Korrik 2018 Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë” Trojet e Arbrit “me rreth shtatëdhjetë studiues dhe më një pjesëmarrje nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare në Evropë dhe Amerikë. Edhe pse ky vit është shpallur vit i Gjergj Kastriotit nga dy Qeveritë shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë dorën në zemër pak është duke u parë aktiviteti i këtij viti të Skënderbeut.
Janë mbajtur akademi dhe sesione shterpe në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në diasporën e madhe atdhetare. Madje aty këtu në diasporë kemi pasur si ligjerues disa historianë që fare nuk mirren me figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij duke i nënvlerësuar Historianët Medeivistë që me kompetencë shkencore mund të flasin për figurën e Skënderbeut. Por ajo që më dhembë është fakti se sa do të kompletohen këto akademi dhe sesione shkencore me botimin e librave për Skënderbeun mbetët një pikëpyetje shumë e madhe.
Vërtet është e dhimbshme kur përkrahen në mënyrë institucionale shoqata dhe organizata jo serioze madje edhe ndonjë Institucion e në fund nuk del asgjë konkrete pra, nuk botohet asnjë libër. Këto akademi shkencore i ngjajnë organizimeve pa koncept që mbahen sa për t’i arsyetuar aty këtu mjetët e shumta që kanë ndarë dy Qeveritë shqiptare. Aty ku më dhembë më se shumti është fakti se sa libra shkencorë do të botohën në këtë vit jubilarë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun.
Në bazë të akademive dhe sesioneve shkencore të mbajtura deri më tani del se minimum duhet të botohen njëzet libra të reja gjatë këtij viti të Skënderbeut. Por meqense shumica e organizimeve janë mbajtur me 2-3 ligjerues apo 5-6 ato paksa më serioze dihet qartë mirfilli se shumë pak në këtë vit do të kemi botime për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe periudhën e artë historike shqiptare. Por gjithmonë aty ku mbretëron errësira ka ngapak edhe dritë e cila edhe pse fillon si shkëndi e vogël ajo përhapet dhe bënë dritë në të gjitha trojet shqiptare.
Ajo që nuk do të lenë në errësirë vitin e Skënderbeut është Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit “e cila është duke përgatitur një libër Enciklopedikë me rreth 800 – 900 faqe dhe me rreth shtatëdhjetë autorë nga shumë institucione shkencore nga të gjitha viset shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare. Por kjo shoqatë nuk e ka lënë me kaq vitin e madh të Skënderbeut. Ajo ka dalur me dy ide konkrete.
E para që në Shatërvan në qytetin e Prizrenit të vendosët monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe idea e dytë është që në Kalanë e Prizrenit të ndërtohët Muzeu Kombëtarë me emrin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Kjo bëhet edhe për faktin se Prizreni njihet nga historiografia shqiptare si qytet ku ishte qendër e zotërimeve të Kastrioteve, si dhe për faktin e dytë se pikërisht në Kalanë e Prizrenit gjatë rikthimit në vendlindje Gjergj Kastrioti dhe kalorësit e tij kishin qëndruar disa ditë në Kalanë e Prizrenit pastaj kishin marrë rrugën për në Dibër e për tu kthyer përfundimisht në Krujë. Shoqata “Trojet e Arbrit “së shpejti do ta fillon aksionin përgatitor për grumbullimin e mjeteve për realizimin e këtyre dy projekteve kombëtare për faktin se Prizreni si një qytet historik dhe që lidhë tri kryeqytetet shqiptare : Tiranën,Shkupin dhe Prishtinën e meriton një nderë të tillë.
Uroj që viti i Gjergj Kastriotit -Skënderbeut të mos jetë vetëm vit kalues sa për sy e faqe por institucionet shkencore shqiptare ta ndjekin rrugën e Shoqatës “Trojet e Arbrit” dhe të dalin me botimet e tyre shkencore që se paku krahas Trojeve të Arbrit të kemi minimum edhe dy vepra të mira shkencore për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun një në Tiranë e një në Prishtinë, e sa i përket organizimeve që janë mbajtur gjithandej Trojeve Shqiptare ato organizime tash veq janë harruar edhe nga organizatorët e tyre e le më të mëndojnë se duhet botuar veprat me peshë shkencore që do ta ndriçojnë figurën e madhe të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
Se si do të duket përfundimisht Monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Muzeu me emrin Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në Prizren kjo do të planifikohet nga grupi i eksperteve të lëmive të ndryshme si historianë, arkitektë, skulptorë që janë pjesë e një këshilli të gjërë për kryerjen e këtyre dy ideve konkrete të Shoqatës “Trojet e Arbrit”.
( Autori është kryetar i shoqatës “Trojet e Arbrit”)
P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.