24-04-2024

Suharekë: Vëllai i drejtorit të AAK-së zgjedhet drejtor i shkollës

Komisioni i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë propozi për drejtor të Shkollës së Mesme Teknike vëllain e drejtorit komunal të arsimit.

Komisioni përzgjedhës për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës në komunën e Suharekës, ka marrë vendim që të punësojë Hamdi Bytyqin në pozitën e drejtorit të Shkollës së Mesme Teknike “Skënder Luarasi”.

Bytyqi është vëllai i drejtorit të drejtorisë së arsimit, Remzi Bytyqi.

Për kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj dhe drejtorin e drejtorisë së arsimit, Remzi Bytyqi punësimi i Hamdi Bytyqit në këtë pozitë nuk paraqet konflikt të interesit, ndërsa vetë kandidati thotë se punësimi i tij në këtë pozitë “është njëfarë defekti” dhe se nuk kishte aplikuar për këtë pozitë në dy afate për shkak se kishte menduar se është “pak” konflikt interesi.

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha për KALLXO.com se gjatë fushatës së tij kishte premtuar se për emërimin e drejtorëve në shkolla do të konsultohet me kolektivin e shkollës dhe prindërit.

Ai tregoi që propozimin për punësimin e Hamdi Bytyqit si drejtor shkolle e kishte marrë nga ana e të punësuarve në atë shkollë.

“Unë kam premtuar edhe në fushatë i gjeni incizimet se unë kam me u këshillu çdo herë me kolektiv të shkollës edhe me bordin e prindërve. Dy herë është shpallë konkurs legjitim e nuk ka pas kandidatë, herën e tretë kam marrë një propozim prej 97 për qind të arsimtarëve dhe profesorëve që punojnë aty edhe na kemi shku në baza ligjore. Unë nuk po e di hala që është zgjedhë drejtor, është procedura por gjithçka shkon sipas ligjit”, ka thënë Muharremaj.

I pari i Suharekës thotë se nuk mendon që është konflikt i interesit punësimi si drejtor shkolle, i vëllait të drejtorit të Arsimit në këtë komunë.

Mirëpo, Muharremaj deklaroi për KALLXO.com se komisioni vlerësues për kandidatët përzgjidhet nga drejtoria e Arsimit dhe jo nga kryetari i komunës.

“Për mua nuk është konflikt i interesit përderisa e kam përsëritur tri herë konkursin dhe ka vendosë bordi dhe këshilli i shkollës, për mua nuk është konflikt i interesit. Nuk jam tu bë politikë, përderisa në shumë shkolla jam këshilluar me kolektivin e shkollës, me bordin e shkollës edhe s’kam zgjedhë PDK, LDK, po pa asnjë lloj partie edhe s’d.m.th. pse janë vëllezër s’duhet me punu ata. Drejtoria e Arsimit të komunës e bën këtë punë ..po ju them që kemi zbatuar ligjin në fuqi “, përfundoi ai.

Ndërsa, drejtori i Arsimit të Suharekës, Remzi Bytyqi, e konfirmoi për KALLXO.com se i përzgjedhuri për drejtor të Shkollës së Mesme Teknike “Skënder Luarasi” është vëllai i tij.

Ai thotë se “ndoshta është” konflikt i interesit, mirëpo sipas tij, përvoja e të vëllait dhe propozimi i shkollës kanë ndikuar që Hamdi Bytyqi të zgjedhet drejtor.

“Shumë është e vërtetë që është vëlla i imi. Me drejtor nuk merrna në zgjedhje sepse përzgjedhjen e drejtorëve e bën kryetari i komunës. Ai e cakton panelin dhe së bashku me panelin merr vendim për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave e jo drejtori i Arsimit, mund ta pyesni edhe kryetarin e komunës. Ndoshta është, por njeri i ka 25-26 vjet përvojë pune s’jam i sigurt se sa. Edhe sa e di unë komuniteti i shkollës e kanë mbajtur një takim për shkak se kanë qenë dy konkurse janë anuluar se s’ka pasur kandidatë edhe janë diku rreth 64 nënshkrime që kanë kërkuar dhe propozuar Hamdi Bytyqin.”, ka thënë drejtori i Arsimit.

Sipas të vëllait, kandidati Hamdi Bytyqi i ka plotësuar të gjitha kriteret, është inxhinier i diplomuar, posedon çertifikatë nga trajnimet në ministri, gjithashtu ka përvojë pune që nga viti 1991 dhe që nga viti 1994 është mësimdhënës i rregullt në atë shkollë.

E vetë drejtori i sapo zgjedhur i Shkollës së Mesme Teknike “Skënder Luarasi”, Hamdi Bytyqi, ka thënë për KALLXO.com se pikërisht për shkak se i vëllai është drejtor i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Suharekës, kishte hezituar të aplikojë për këtë pozitë.

“Me pas dashtë me konkuru, kisha konkuru herën e parë kur është hapur konkursi por pikërisht për shkak të kësaj, po mendoj edhe unë që ndoshta këtu është njëfarë defekti nuk kam qenë i gatshëm me konkuru. Emërimi i drejtorëve të shkollave të mesme është kompetencë e kryetarit apo komisionit faktikisht që e krijon kryetari, pra varet prej kryetarit e jo drejtorit të DKA-së.”, tha Bytyqi.

Ai tregoi tutje se ka përvojë 27 vjeçare si mësimdhënës dhe se përzgjedhja e tij për drejtor është bërë nga komisioni vlerësues dhe një përfaqësuesi të MASHT-it, por gjithashtu edhe nga propozimi i mësimdhënësve të Shkollës së Mesme Teknike “Skënder Luarasi”.

“Në këtë shkollë punoj që 27 vite, jam mësimdhënës edhe realisht komisioni ka qenë prej kryetarit të komunës që është bërë edhe normal prej një përfaqësuesi të Ministrisë së Arsimit që e përcjellë ligjërisht procedurën. Mu për shkak të kësaj edhe personalisht kom menduar se është pak konflikt interesi, as në afatin e parë s’kam konkurruar e as në të dytin. Mirëpo ka qenë edhe një politikë e kryetarit që përzgjedhja e drejtorit të bëhet me preferenca edhe të kolektivit të shkollës. Kryetari edhe gjatë periudhës së fushatës ka premtuar se asnjë drejtor nuk do ta zgjedh pa e pyetur edhe kolektivin e shkollës ku përzgjidhet drejtori.”, përfundoi ai për KALLXO.com

Asnjë koment

Comments are closed.