15-07-2024

Vjedhjet në Suharekë: Ky është i arrestuari që u kap pas bastisjeve në Prishtinë, konfiskohen armë

Në shumicën e rasteve, personat e përfshirë dalin të jenë recidivistë të veprave të kësaj natyre dhe jo vetëm. Qazim Kamberi, njëri ndër hajnat që ishte në kërkim nga Policia e Kosovës për disa ditë me radhë është prangosur, ndërsa tashmë është arrestuar edhe një person. Të njëjtit dyshohen se janë të përfshirë në dy raste të vjedhjeve në Suharekë.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i dytë që u prangos është Azdren Gashi, (37-vjeçar) i cili është kapur pasi Policia zhvilloi bastisje në shtëpinë e tij.

Gashi ishte cak i Policisë në Suharekë, që në koordinim me njësitë e Policisë në Prishtinë, kontrolluan shtëpinë e tij, ku gjetën armë e municion, që u konfiskuan si dëshmi.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Kush është personi tjetër i arrestuar?

Historia kriminale e Qazim Kamberit lidhet me hiç më pak se 217 raste për vepra të ndryshme, që ekzistojnë në dosjen e tij në Polici.

Policia ishte vënë në ndjekje të tij që nga 30 marsi, për shkak të përfshirjes në disa raste të vjedhjeve në rajonin e Prizrenit, konkretisht në Suharekë – por fillimisht nuk kishin arritur ta kapnin.

Sipas informacioneve të para, 40-vjeçari ishte në dijeni që Policia është vënë në lëvizje për ta arrestuar dhe ia doli të qëndrojë në arrati, përkundër që edhe njësitë policore të Policisë Rajonale në Prizren, zbarkuan në kryeqytet në kërkim të tij.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti i fundit për të cilin ishte në kërkim Kamberi është një vjedhje e rëndë që ishte kryer më 29 mars, në një shtëpi në fshatin Sopijë në Suahrekë.

40-vjeçari po dyshohet se është i përfshirë në këtë rast, ku dyshohet se janë vjedhur stoli ari në vlerë të mijëra eurove, armë e pajisje të tjera, duke shkaktuar kështu dëme të konsiderueshme.

Denoncimi i rastit nga pronari i shtëpisë kishte aktivizuar Policinë dhe si rezultat Kamberi është identifikuar si person që ka gisht në këtë rast dhe jo vetëm.

Hetimet ndaj tij kanë nisur edhe për një rast tjetër, po ashtu vjedhje e rëndë që dyshohet se lidhet me rastin e fundit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:

Aktakuzë ndaj dy personave për mashtrim me subvencione në bujqësi

Asnjë koment

Comments are closed.