20-04-2024

Vlerësohet i kundërligjshëm vendimi i Kuvendit të Prizrenit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim

Ministria e Pushtetit Lokal ka vlerësuar si kundërligjor vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për KEDS-in, me qëllim të vendosjes së trafos në lagjen “Jeta e re”.

Niveli qendror ka kërkuar nga organet komunale që vendimi përkatës të harmonizohet me dispozitat ligjore.

Në shkresën që MPL-ja ka dërguar në adresë të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka dhe kryesuesit të KK-së, Sulltan Badalli, thuhet se kjo ministri ka pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë vendimin e KK-së së Prizrenit nr. 001/011-126215 për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për raste të veçanta, i miratuar me datë 19 nëntor 2020.

“Ministria e Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në këtë shkresë.

Më tej jepen edhe sqarime rreh mospajtueshmërisë së aktit me ligjet në fuqi.

“Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nr. 001/011-126215 për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për raste të veçanta, është në kundërshtim me Rregulloren (QRK) nr.09/2020, për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, përkatësisht nenin 25 paragrafi 3 pika 3.4 si dhe paragrafi 6 në të cilat sqarohet se: Vendimi duhet të përmbajë afatin e dhënies në shfrytëzim si dhe bazuar në legjislacionin e zbatueshëm dhe nuk mund të jepet pa kompensim”, thuhet në shkresën e MPL-së.

Për këto arsye edhe është kërkuar që organi më i lartë vendimmarrës lokal ta rishqyrtoj këtë vendim.

“Bazuar në të cekurat më lartë, MPL, kërkon nga Kuvendi i Komunës dhe kryetari i Komunës së Prizrenit që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, shkruan në kërkesën e MPL-së.

Anëtarët e KK-së së Prizrenit në seancën e mbajtur më 19 nëntor 2020, me shumicë votash kanë miratuar vendimin në fjalë, bazuar në propozimin e kryetarit të Komunës që ti jepet në shfrytëzim KEDS-it sipërfaqja prej 9 metrave katrorë në lagjen “Jeta e re” për vendosjen e trafos dhe stabilimenteve shpërndarëse të tensionit të lartë, që do të shërbejë për furnizimin me rrymë elektrike për banorët e kësaj lagje, pa kompensim, derisa afati i dhënies në shfrytëzim dhe kriteret tjera ishin lënë që të përcaktohen me nënshkrimin e kontratës mes palëve.

Megjithëkëtë për çështjen në fjalë ishte zhvilluar debat mes anëtarëve të KK-së, si në fillim të seancës rreth asaj nëse ky propozim-vendim duhet të shqyrtohet në këtë seancë, dhe në fund të mbledhjes nëse ka kundërshti eventuale me dispozitat ligjore në fuqi.

Në fakt, Komiteti për Politikë e Financa kishte marrë vendim që kjo pikë mos të shqyrtohet në këtë seancë, porse anëtarët e KK-së me shumicë votash patën vendosur që për hir të qytetarëve të asaj ane ta shqyrtojnë propozim-vendimin.

Gursel Skenderi nga sektori i pronës në Komunën e Prizrenit para këshilltarëve të KK-së pat arsyetuar se kërkesa e KEDS-it bën pjesë në rastet ku prona komunale jepet për rastet e veçanta dhe ku procedurat tenderuese nuk zbatohen. “KEDS-i ka bërë kërkesë që për shkak të ngarkesës duhet me u vendos një trafo e re në atë lagje, dhe ju duhen 9 metra katrorë pronë komunale”, pati thënë ai.

Ndërsa këshilltarët si Shukri Quni e Pranverim Berisha kanë kërkuar kujdes më të madh nga KEDS-i ndaj kërkesave të lokaliteteve rurale.

Këshilltari i VV-së, Ilir Gashi ka shfaqur dilemat e tij lidhur me ligjshmërinë e këtij propozim-vendimi, duke pyetur nëse dispozitat e cekura vlejnë vetëm për energji të ripërtërishme apo edhe për energjinë elektrike.

“Mos të dalim sërish karshi MPL-së që kemi marrë vendim të jashtëligjshëm”, pati deklaruar Gashi.

Por Skenderi pat theksuar se ka pas edhe disa raste tjera të ngjashme, ku nuk zbatohen procedurat e tenderimit. Pas këtij sqarimi, 24 anëtarë patën votuar për miratimin e vendimit dhe vetëm një këshilltar pat votuar kundër./KOHA/

Asnjë koment

Comments are closed.