18-05-2024

Vrasja e 31-vjeçarit nga Kukësi në Prizren – për çka akuzohet “Kobra” dhe të akuzuarit tjerë që dolën sot para Gjykatës

Visart Cengun, 31-vjeçari nga Kukësi i Shqipërisë, kishte mbetë i vrarë në orët e para të mëngjesit të 3 janarit të vitit 2023, pas të shtënave me armë zjarri në dalje të lokalit ‘Kobra City’ në Prizren. Keq atë mëngjes e kishte pësuar edhe miku i tij, 27-vjeçar, Rufgen Shehu, i cili pati mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetë. Armën në atë mëngjes janari dyshohet se e shkrepi pikërisht pronari i lokalit, personazhi i njohur kontrovers, Dibran Hoxhaj, raporton Gazeta Sinjali.

Për këtë arsye, sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë nën përcjelljen e Policisë është sjellë Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, ku është mbajtur seanca fillestare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren një vit më parë.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar sot të pafajshëm.

Por, për çka akuzohen saktësisht secili nga të dyshuarit?

Sipas aktakuzës, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Cobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Pas zënkës, thuhet se viktima dhe të dëmtuarit, kishin hyrë në veturën “Mercedes”, me qëllim që të largoheshin nga lokali. Por, thuhet se tashmë i akuzuari Dibran Hoxhaj pasi ishte njoftuar për ngjarjen, në ato momente kishte arritur në lokal me veturën “Audi Q7”, pronë e dëshmitarit Enver Amrllahu. “Kobra”, thuhet se kishte hyrë në lokal, kishte marrë pistoletën dhe iu ka afruar veturës së të dëmtuarve.

Sipas aktakuzës, nga motive të ulëta, demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë në çfarëdo mënyre, ka hapur derën e vozitësit tani të dëmtuarit  R.T (Sh) dhe ka shkrepur me armë dhe ka plagosur në kofshë të djathë të dëmtuarin T (Sh).

Ky i fundit, thuhet se kishte rritur shpejtësinë e veturës dhe kishte dalë në rrugë, por që i akuzuari “Kobra”, kishte shtënë me armë edhe katër herë tjera, duke goditur tashmë viktimën V.C në shpinë, pasi i njëjti ishte i ulur në ulëset e pasme të veturës.

Viktima V.C, të cilit plumbi i kishte shkaktuar gjakderdhje të brendshme, nuk kishte arritur t’i përballonte plagët ku edhe kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Kukësit.

“Kobra”, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 dhe 1.8 të KPRK-së.

Ai po ashtu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi thuhet se nga koha e pavërtetuar deri më 3 janar 2023, në lokalin e tij ka mbajtur në posedim një pistoletë gjysmë-automatike, me një karikator me kapacitet 13 fishekë, të cilin edhe e ka përdorur për të kryer veprën penale nga dispozitivi i parë si dhe një pistoletë tjetër me një karikator me 8 fishekë.

Tutje në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se Roland Susuri dhe Burim Mazreku në lokalin “Kobra City” pas ngjarjeve të ndodhura i fshehin provat, ku fillimisht Mazreku me kërkesë të Dibran Hoxhës fsheh pistoletën si dhe armën tjetër. Aktakuza thotë se arma është gjetur nga ana e policisë në afërsi të lokalit “Kobra City”, kurse Susuri kishte fshehur DVR e kamerave të sigurisë së lokalit në vend të paidentifikuar.

Me këto, veprime Susuri dhe Mazreku po ngarkohen për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, paragrafi 1 KPRK-së.

Kurse në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Roland Susuri, Jesmir Badalli dhe Arben Vezaj me qëllim të frikësimit të të dëmtuarve R.T dhe A.B dhe tani të ndjerit V.C., ku si të dëmtuar refuzonin të paguanin faturën prej 400 euro, gjatë rrahjes të pandehurit Susuri dhe Badalli me rrokin armën, kurse shkopin e bejsbollit Vezaj.

Prandaj, për këto veprime Susuri, Badalli dhe Vezaj po ngarkohen për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e katërt të aktakuzës Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj po ngarkohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Por, kush është Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”

Emri i tij nuk është krejtësisht i panjohur për publikun. Dibran Hoxhaj i njohur edhe si “Kobra”, ka një bagazh të madh prej problematiku.

E kaluara e tij kriminale tashmë është e njohur edhe për organet e rendit.

Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë vetëm disa nga veprat penale, për të cilat ai është dënuar plot 16 herë.

Prej tyre, Hoxhaj është gjobitur në 12 aktgjykime, kurse në katër të tjera është dënuar me kusht.

Në qershor të 2009-ës, ai ishte dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Për të njëjtën vepër penale, ishte shpallur fajtor dy herë edhe në vitin 2012.

Për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, pronari i “Cobra City” është dënuar në gjashtë herë brenda tre vjetëve.

Ndërsa, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ky personazh ishte ndëshkuar dy herë. Njëherë në vitin 2012 e në një rast tjetër edhe në vitin 2021.

E, për shkak të një rrahje, në vitin 2007 ishte burgosur gjashtë muaj.

Lokali i tij “Kobra City” që ndodhet në Prizren, ka pasur raste kur është bastisur nga Policia e Inspektorati Komunal

Njëjtë ndodhi edhe mëngjesin e së martës, teksa policia arrestoi atë nën dyshimin se ka vrarë një 31-vjeçar nga Kukësi dhe ka plagosur një tjetër.

Faktin se ka shumë vepra penale, “Kobra” e kishte përmendur në emisione të ndryshme televizive, duke thënë se ka 198 vepra penale, por që të gjitha sipas tij kanë lindur pasi kishte hapur lokalin e tij “Cobra City”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.