25-04-2024

Vrasja mizore e 2016-ës në Suharekë, dëshmitarja mohon se me të ndjerin s’ka pasur raporte të mira

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, është dëgjuar dëshmitarja Nurije Ademi, e cila ka mohuar se me të ndjerin A.B kanë pasur raporte jo të mira.

Sipas aktakuzës, Murat dhe Reshat Ademi, po akuzohen për veprën penale vrasja e rëndë, se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e të akuzuarit Murat Ademi, se a është e vërtetë nëse babai i saj dhe ajo personalisht nuk kanë pasur raporte të mira dhe për një kohë të gjatë as që nuk kanë folur mes vete, dëshmitarja Ademi ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se nuk është e vërtetë.

Ajo ka thënë se babai i saj, Bajrami ka pasur raporte të mira me të ndjerin A.B para se të ndodhte rasti.

E njëjta ka mohuar se nga i ndjeri A.B ka pasur dhunë fizike, psiqike apo morale.

Në deklarimet e saj, Ademi ka treguar se babain e të ndjerit A.B, Avdi Bytyqin me telefon e ka njoftuar se A.B nuk gjendej në shtëpi dhe se për këtë ka kuptuar nga djali i saj, E.B.

Tutje, dëshmitarja Ademi ka mohuar se motra e saj, e akuzuara Bytyqi i kërkuar që ta telefonojë babain e të ndjerit A.B.

Në përgjigjet e pyetjeve të mbrojtësit të akuzuarit Murat Ademi, avokat Flurim Vertopi, dëshmitarja Ademi ka treguar se telefonatën e kishte bërë me telefon të akuzuarës Bytyqi, e që e njëjta ka qenë prezente në atë moment.

Në fund, dëshmitarja Ademi ka thënë se qëndron pranë deklaratave të dhëna në këtë gjykatë më datë 26 dhjetor 2017 dhe 21 tetor 2020.

Vërejtje në deklarimet e dëshmitares Ademi, ka paraqitur prokurori Nixha, i akuzuari Murat Ademi dhe mbrojtësi i tij, avokati Vertopi.

Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar edhe e dëmtuara Leonita Bytyqi, e cila ka treguar se raportet në familje kanë qenë të mira.

E njëjta, në cilësinë e të dëmtuarës ka parashtruar kërkesë pasurore juridike.

Vërejtje në deklaratën e saj, kanë paraqitur prokurori Genc Nixha, i akuzuari Murat Ademi dhe mbrojtësi i tij, avokati Vertopi.

Po ashtu, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar edhe i dëmtuari Avdi Bytyqi, i cili tha se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë më 26 dhjetor 2017.

I dëmtuari Bytyqi ka deklaruar se parashtron kërkesë pasurore juridike.

I njëjti ka thënë se nga deklarimet e ekspertit të mjekësisë ligjore potencohet se tek organet e të ndjerit nuk është gjetur blozë e tymit, e që sipas tij këto prova do të argumentojnë se aktakuza ndaj të mbrojturit të tij nuk është e qëndrueshme.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani lidhur me mungesën e dëshmitarit Naim Grulaj ka thënë se nga fletëkthesa konstatohet se i njëjti gjendet jashtë shtetit.

E për këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Fetiu, avokat Sefer Morina ka propozuar që përmes policisë të verifikohet nëse i njëjti gjendet në Kosovë apo jo.

Këtë propozim, e ka aprovuar gjykatësi Sejrani.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 21 mars 2023.

Gjykata e Apelit, këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkon me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.