25-04-2024

Vrasja në magjistralen Prizren-Gjakovë, pas rigjykimit njëri i akuzuar dënohet me 18 vjet, tjetri me 16 vjet burg

Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, pas rigjykimit, i ka shpallur sërish fajtorë dy të akuzuarit për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Tasim dhe Nasip Zhuniqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Nikollë Komani, Tasim Zhuniqi është dënuar me 18 vjet burgim unik, ndërsa i akuzuari tjetër Nasip Zhuniqi është dënuar me 16 vjet burgim unik.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Gjykata ka vërtetuar se të akuzuarit në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nuredin Kastrati, në mars të vitit 2016, në magjistralen Prizren–Gjakovë.

I dëmtuari Blerim Kastrati është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike, ndërsa Bardhyl Gashi nuk është udhëzuar në kontest civil, pasi që i njëjti ka hequr dorë nga një kërkesë e tillë.

Lidhur me këtë vrasje, Gjykata Themelore në Gjakovë, edhe në mars të vitit 2018, i kishte shpallur fajtorë, Tasim dhe Nasip Zhuniqin.

Të njëjtit ishin shpallur fajtorë edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Tasim Zhuniqi ishte dënuar më 16 vjet burgim unik, kurse Nasip Zhuniqi ishte dënuar me një vit më pak, përkatësisht, me 15 vjet burgim unik.

Tasim Zhuniqi foto

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më pas, e kishte kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje, me arsyetimin se shkalla e pare kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte kundërthënës sepse në cilësimin e veprës penale nga Prokuroria dhe aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, nuk është e qartë nëse është fjala për një vepër penale të vrasjes në bashkëkryerje, apo për disa vepra penale të ndara.

Ndryshe, Tasim dhe Nasip Zhuniqi, akuzohen se me 26 mars 2016, rreth orës 16:00, në magjistralen Prizren-Gjakovë, në bashkëveprim kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin Nuredin Kastrati nga Prizreni.

Me këtë veprim, në aktakuzën që e ka përpiluar prokurori Ali Uka, të njëjtit akuzohen për veprën penale “vrasje e rendë” nga neni 179, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërkaq, të akuzuarit përmes mjeteve me të cilat kanë kryer veprën penale të vrasjes, u ngarkohet edhe akuza për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.