20-04-2024

Vrasja në Suharekë, njëri i akuzuar thotë se kufoma e të ndjerit ishte në veturën e tij

Murat Ademi, i akuzuar për vrasjen e tani të ndjerit Abedin Bytyqi më 6 tetor 2016, ka thënë se kufoma ishte në veturën e tij.

Një deklarim të tillë i akuzuari Ademi e ka bërë në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë shikimit të disa video-incizimeve nga vendi i ngjarjes.

Së bashku me Ademin, për këtë vrasje po akuzohen edhe Resmije Bytyqi, Fadil Fetiu dhe Reshat Ademi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas shikimit të CD-së së parë, është konstatuar biseda mes të akuzuarve Reshat Ademi dhe Fadil Fetiu pas aktit të kryerjes së vrasjes, për të cilën të dy deklaruan se biseda në fjalë është bërë në aksin rrugor Samadraxhë-Rahovec.

Pas kësaj, është bërë shikimi i një CD-je tjetër, ku është konstatuar një bisedë e të akuzuarës Resmije Bytyqi ditën e nesërme, pas vrasjes së Abedin Bytyqit, me një person me emrin Suzi, si dhe janë evidentuar thirrjet e zhvilluara nga e akuzuara përmes aplikacionit “Viber”.

Tutje, është lëshuar CD-ja që kishte të bënte me vendin tek automekaniku “Fatoni” në fshatin Peqan, ku është parë se kanë kaluar dy veturat e të akuzuarve Murat Ademi dhe Fadil Fetiu, të cilët kanë qenë duke shkuar nga fshati Peqan për në Studenqan.

Më pas është bërë edhe shikimi i një CD-je tjetër, pas së cilës i akuzuari Murat Ademi deklaroi se kufoma e të ndjerit Abedin Bytyqi ka qenë në makinën e tij dhe para se të shkonin tek vendi që shihet në incizime, kanë qenë në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Pasi që u shikuan të gjitha CD-të e propozuara nga palët, gjykatësi Xheladin Osmani njoftoi se është anuluar seanca e paraparë për 8 korrik, kurse ato të radhës pritet të mbahen më 24 shtator, 30 shtator dhe 7 tetor 2021, nga ora 10:00.

Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 7 tetor 2019, e kishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë Murat Ademin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 25 vjet burgim.

Resmije Bytyqi, e cila kishte qenë bashkëshorte e të ndjerit, për veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë, ishte dënuar me 20 vjet burgim.

I akuzuari Fadil Fetiu ishte shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe për këtë, ishte gjykuar me 12 vjet burgim.

Kurse i akuzuari tjetër, Reshat Ademi, nga gjykata e shkallës së parë ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Prokuroria Themelore në Prizren i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se me 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi, kurse Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për mos lajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, e kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket Fetiut, ashtu që të njëjtin e ka ngarkuar me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.