25-04-2024

VV i përgjigjet negativisht ofertës së LDK-së, Veliu: Ata e kanë obligim kushtetues formimin e qeverisë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, insiston se Lëvizja Vetëvendosje është e obliguar sipas Kushtetutës së vendit që të punojë për ndërtimin e institucioneve.

Ndonëse përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje i kthyen përgjigje negative ofertës së LDK-së për ndërtimin e koalicionit, Veliu, në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka deklaruar se “kjo është çështje e tyre”.

“Çka flasin dhe çfarë mendojnë [në Lëvizjen Vetëvendosje], është çështje e tyre”, është shprehur Veliu. “Lëvizja Vetëvendosje e ka obligim kushtetues që t’i ndërtojë institucionet sepse ka dalë e para dhe është fituese e zgjedhje, si dhe e ka obligim kushtetues që të punojë me të tjerët për ndërtimin e instititucioneve”.

“Jo falemnderit”, ka qenë përgjigja e Albulena Haxhiut, deputetes së zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, të cilat i kumtoi kreu i partisë, Isa Mustafa, në një konferencë për shtyp pas përfundimit të mbledhjes.

Mustafa deklaroi se LDK është e gatshme të heqë dorë nga një ministri, në rast se Lëvizja Vetëvendosje pajtohet me propozimin e LDK-së për pozitën e Presidentit.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, Haxhiu ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm, e ka betonuar apetitin e saj për ndarjen e posteve shtetërore në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm e përdorën për ta betonuar apetitin e tyre. Përveç që i duan zv.KM e parë, 5 ministri dhe gjysmën e programit, LDK e don edhe kryeparlamentarin edhe presidentin”, ka thënë Haxhiu. /Insajderi.com

Asnjë koment

Comments are closed.