VV-ja dhe PDK-ja në Prizren shpërfillin kërkesën e OJQ-ve që në krye të Kuvendit të caktohet një grua
Përderisa Lëvizja Vetëvendosje ka shpalosur emrin e kandidatit për këtë funksion para më shumë se dy javëve, PDK-ja rishtazi ka publikuar kandidatin e saj, gjë që ka ngjallur reagime nga partitë e tjera opozitare. Ndërkohë në debat janë inkuadruar edhe aktivistet e shoqërisë civile, duke përkujtuar se deri më tani nuk ka kandidate nga radhët e këshilltareve.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës për datën 27 janar 2020, ku në rend dite do të jetë pika për zgjedhjen e kryesuesit të organit më të lartë vendimmarrës lokal. Disa orë pas publikimit të këtij njoftimi, administratori i degës së PDK-së, Jeton Bytyçi, ka njoftuar se ky subjekt politik ka kandidatin e vet për kryesues të KK-së.
“Grupi i kuvendarëve të PDK-së propozon Sulltan Badallin për kryesues të KK-së së Prizrenit”, ka thënë Bytyçi.
Mirëpo, një veprim i tillë ka ngjallur reagimin e AAK-së, që përmes shefit të Grupit të këshilltarëve, Ilir Baldedaj, ka përkujtuar se për zgjedhjen e kryesuesit nevojiten 21 vota.