VV-ja në pritje të PDK-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti
Pas nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se janë duke e pritur Grupin parlamentar të PDK-së që t’i japë propozimet për t’i shtuar në kërkesën për mocion.
Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu i ka thënë “KOHËS” se aktualisht i kanë 31 nënshkrime dhe janë në përpunim e sipër të tekstit të mocionit.
“Për mocionin e mosbesimit ndaj ‘Qeverisë Koti’ janë 31 nënshkrime. Kreu i GP të LVV-së, Rexhep Selimi, është në pritje të shtesave në tekstin e mocionit që do t’i bëjë GP i PDK-së”, tha Kryeziu.
Ndërkohë të enjten, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për ta rrëzuar Qeverinë Hoti, me arsyetimin se ka dështuar në menaxhim të situatës në vend.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të iniciohet me propozimin e një të tretës së deputetëve të parlamentit, që i bie me 40 vota.