Xhaka: Nuk i kam thënë kurrë jo Kombëtares
Mesfushori shqiptar, Taulant Xhaka i është kundërpërgjigjur trajnerit të kombëtares së Shqipërisë, Edoardo Reja pasi ky i fundit në konferencën për media para ndeshjes me Hungarinë deklaroi se Xhaka e ka refuzuar ftesën e tij për t’u bërë pjesë e skuadrës.
“Më vjen keq për Xhakën, për cilësitë që ka do të na jepte një dorë shumë të mirë, por ai e ka refuzuar ftesën. Unë e kam ftuar disa herë, edhe vitin e kaluar edhe së fundmi, por ai nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që është e kotë që të vazhdoj të shpresoj dhe t’i dërgoj ftesa për faktin që ai nuk po vjen. Nuk na e ka thënë pse nuk vjen, ndoshta ka vendosur të fokusohet te klubi. Më vjen keq, pasi është një lojtar me eksperiencë, por faktet janë këto”, deklaroi Reja para mediave, transmeton Indeksonline.
Xhaka ka thënë se fjalët e trajnerit janë të pavërteta dhe se ai nuk e ka refuzuar ftesën por për shkak se nuk është në formën më të mirë fizike ka kërkuar që të merre dikush që mund të jap kontributin e duhur në të mirën e skuadrës.
“Taulant Xhaka kurrë nuk e ka refuzuar kombëtaren! I kam thënë që nuk jam akoma 100% në formën time dhe më mirë ishte që të merrte një lojtar qe është 100% në formë. Këto janë gënjeshtra dhe nuk e di pse. Nuk është aspak e vërtetë që unë kam refuzuar Kombëtaren, por isha 1 vit i lënduar dhe nuk isha në 100% në formë dhe nuk dua të rrezikoj prapë që të lëndohem. Në këtë mënyrë, i kam dhënë shansin një lojtari të ri që të grumbullohet”, ka thënë Xhaka.
Ndeshja e radhës e Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror “Katar 2022” është ajo kundër Hungarisë me 9 tetor dhe pastaj kundër Polonisë më 12 tetor.