Xhaka rrezikon ta humbë vendin te Arsenali
Mesfushori kosovar Granit Xhaka është duke rrezikuar të humbasë vendin në përbërjen startuese të Arsenalit, pas paraqitjes së dytë rresht jo të mirë te klubi londinez.
Xhaka të shtunën në humbjen 3:2 ndaj Chelseat së bashku me Mesut Oezilin janë vlerësuar si më të dobëtit në fushë. Xhaka u notua nga gazeta “Daily Mail” me notën 4.5 nga dhjetë sa është maksimalja. Xhaka u zëvendësua pas pjesës së parë nga trajneri Unai Emery, ndërsa ishte ndëshkuar me karton të verdhë. Në vend të Xhakës u aktivizua transferimi i ri i Arsenalit, Lucas Torreira, që dha një paraqitje më bindëse, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Humbi topin me prekjen e parë. U ndëshkua me të verdhë. U zëvendësua pas pjesës së parë”, ka komentuar “Daily Mail” për Xhakën.
Xhaka edhe ndaj Manchester Cityt u kritikua për paraqitjen e tij. Ndërkohë mesfushori uruguaian Torreira, që erdhi këtë verë nga Sampdoria për 30 milionë euro, është duke ia rrezikuar vendin.