Ylli humb derbin nga Prishtina

Sigal Prishtina e ka fituar derbin e parë të xhiros së 27-të të Superligës në basketboll.

Të shtunën në kryeqytet, Prishtina fitoi ndaj Golden Eagle Yllit me rezultatin 93:83. Skuadra prishtinase e ka fituar bindshëm çerekun e parë (34:18) dhe më pas ka pasur lojën në kontroll. Ylli ia ka dalë të afrohet në rezultat, por jo të rrezikojë epërsinë e vazhdueshme të Prishtinës.

Fahro Alihoxhiq udhëhoqi Prishtinën me 20 pikë e nëntë kërcime. 20 pikë i shënoi edhe Jordan Johnson, që kishte edhe shtatë asistime. Valon Bunjaku realizoi 23 pikë për Yllin, kurse Arbër Berisha realizoi 14 pikë e nëntë kërcime. Ish-lojtari i NBA-së, Vander Blue debutoi për Yllin me 14 pikë e gjashtë kërcime.

Prishtina është përforcuar në vend të parë me 42 pikë. Ylli renditet i treti me 40 pikë.

Të shtunën u luajt edhe ndeshja në mes të Feronikelit dhe Bashkimit. Fitore shënoi Bashkimi me shifrat 82:66.