29-04-2024

“Honeyland” në Prizren si rrëfim suksesi e për harmoninë me natyrën

Entuziazmi i drejtorit artistik të “DokuFestit”, Veton Nurkollari, të enjten mbrëma, ka qenë i dukshëm. Pas shumë përpjekjesh ai ka arritur ta sjellë në Prizren dokumentarin “Honeyland” të filmbërësve Tamara Kotevska dhe Lubomir Stefanov, të nominuar sivjet për çmimin “Oscar”.

Premierën e këtij filmi në “DokuKino” e ka cilësuar si përmbushje të një premtimi të dhënë për publikun vendor, shkruan sot Koha Ditore.

“Kemi premtuar dhe tani po e jetësojmë premtimin tonë. Me e sjellë filmin tash nuk ka qenë e vështirë, por ishte e vështirë me e pru atëherë kur kemi dashur ne. Kemi synuar me e pru verën e kaluar në festival, por për shkak të zotimit ndaj Festivalit të Filmit në Sarajevë, ka qenë e pamundur. Ndërsa tani kemi pritur pak mos po e fiton ‘Oscarin’ dhe i kemi marrë të drejtat për Kosovë”, ka thënë Nurkollari në premierën kosovare të filmit “Honeyland”.

Të pranishmit në sallën e kinemasë “DokuKino” kanë ndjekur një portret intim të jetesës në harmoni me natyrën. Në qendër të rrëfimit është Hatixhe Muratova, një nga bletërritëset e fundit të egra në Evropë. Pjesëtarja e komunitetit turk jeton me nënën e palëvizshme dhe të sëmurë, në një shtëpi pa rrymë dhe pa ujë. E moshuara nuk sheh me njërin sy dhe ka një plagë të madhe në afërsi të tij. Madje, mallkon veten që vdekja s’e merr.

Hatixhja mban veten dhe nënën në saje të mbledhjes së mjaltit nga bletët, në formë natyrale. Por, këtë e bën me kujdes, duke ruajtur baraspeshën me bletët e saj, ku gjysmën e mjaltit e merr për ta shitur dhe gjysmën tjetër ua lë bletëve. Ekipi realizues i filmit, në mënyrë mjeshtërore, arrin që të paraqesë edhe kërcënimin për çrregullimin e këtij ekuilibri të vendosur nga Hatixhja, përmes ardhjes së një familjeje shumëanëtarëshe, që shqetësim kryesor ka ekzistencën, përkatësisht sigurimin e bukës së gojës.

Gazetari i komunitetit boshnjak nga Prizreni, Refki Alija, pas shikimit të filmit, e ka cilësuar atë si të jashtëzakonshëm. “Sipas vlerësimit tim është një film mjaft cilësor, që të mban të koncentruar gjatë tërë kohës, duke na shfaqur njeriun e natyrën dhe ndërveprimin e tyre, me incizime fantastike”, ka thënë ai. Ndërsa Nurkollari i “DokuFestit” ka thënë se ky film dokumentar vetëm para pak javësh ka qenë i nominuar për “Oscar” dhe ka qenë afër që ta fitojë këtë çmim./Koha.net/

Asnjë koment

Comments are closed.