Zbatimi i rregullores së re nuk po përfillet – Pagesat po vazhdojnë me euro dhe me dinarë
Banka Qendrore e Kosovës njoftoi më 13 maj se periudha tremujore transitore për zbatimin e lehtësuar të rregullores së saj, që e ndalon përdorimin e dinarit serb, ka marrë fund.
Kjo rregullore u fuqizua më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetme pagese me para të gatshme.
Rregullorja nxiti reagime të shumta nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, për faktin se komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia.
Disa takime mes Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për të arritur ndonjë marrëveshje për çështjen, përfunduan këtë javë pa sukses.
“Vazhdojmë edhe me dinarë”
Në Kursimoren e Postës, qytetarët mund të tërheqin mjete në euro, të cilat janë të kufizuara në një shumë që varion, por që shpesh shkon deri në 400 euro.
Pagesa në dinarë, megjithatë, vazhdojnë të bëhen në objekte të shitjes me pakicë.
Bllagica, pronare e një dyqani në Mitrovicën e Veriut, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se pranon ende dinarë.
“Ne pranojmë edhe euro, edhe pse është pak problem kthimi i kusurit prej 10 apo 20 centësh, derisa të rregullohet pak…”, thotë Bllagica.
Ajo shton se do të vazhdojë të pranojë dinarë “derisa ata të ndalohen plotësisht”. Thotë se askush nuk i ka vizituar dhe nuk i ka kontrolluar për paratë që përdorin.
“Këtu te ne nuk ka pasur kontrolle sa u përket dinarëve. Ka pasur vetëm gazetarë për të pyetur… Mirëpo, mjet i pagesës këtu është ende dinari”, thotë Bllagica, duke konfirmuar se e di se periudha transitore ka përfunduar.
Edhe Natasha, punonjëse në një dyqan në Mitrovicën e Veriut, thotë se pranon dinarë, paralelisht me euron.
“Kemi vite që punojmë edhe me dinarë, edhe me euro. Por, ne vazhdojmë të pranojmë dinarë për aq kohë sa kemi mundësi”, thotë ajo.
Ngjashëm tregon se askush nuk i ka vizituar dhe nuk i ka kontrolluar për valutën që përdorin.
“Deri më tash jo, kam dëgjuar nga lokale të tjera që ka pasur [kontrolle]… Sigurisht që i presim çdo ditë”, thotë ajo, por nuk specifikon se për cilat lokale e ka fjalën.
“Nuk jam i sigurt se si është situata në terren [lidhur me përdorimin e dinarit], ndoshta varet nga rastet veç e veç. Por, në përgjithësi, është shumë e keqe, për të mos thënë katastrofale”, thotë Dushan Gashiq, afarist në Mitrovicën e Veriut, për Radion Evropa e Lirë.