25-11-2024

Zgjedhet katër anëtarë në bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

61 deputetë të mazhorancës votuan pro zgjedhjes së Bordit të OSHP-së, derisa partitë opozitare e kishin lëshuar sallën më herët, pas dështimit të Projektligjit për Trustin.

Kryetare e bordit u zgjodh Vjosa Gradinaj-Menxhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.

“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni kishte rekomanduar qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën  tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, tha ai.

Kuvendi sot miratoi edhe disa projektligje, në mesin e tyre atë për pyjet,  parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes dhe Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.

Pas miratimit të tyre, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mbylli punimet e sotme derisa tha se pikat e mbetura në rend të ditës do t’i vazhdojnë javën e ardhshme. /GE

Asnjë koment

Comments are closed.