19-04-2024

​Gjermania me projekt 200 mijë eurosh për menaxhimin e koronavirusit në Kosovë

Një projekt në vlerë prej 200 mijë euro është nënshkruar sot nga GIZ-i gjerman në Kosovë dhe Kolegji Heimerer, për zbatimin e masave të menaxhimit të higjienës gjatë pandemisë. Kjo u bë me qëllim që të rritet siguria e pacientëve dhe e stafit mjekësor në spitalet publike. Përmes këtij projekti po synojnë të parandalojnë përhapjen e Covid-19 brenda institucioneve shëndetësore.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt tha se përmes bashkëpunimit Kosova po përfiton nga qeveria gjermane.

“Ajo që ne synojmë si qeveri gjermane është mbështetja e synuar për të ndihmuar vendet partnere dhe strukturat në trajtimin e pandemisë, si dhe pasojave ekonomike. Një faktor kyç këtu është sektori i kujdesit shëndetësor. Pra, bëhet fjalë për përmirësimin e sigurisë për pacientët, për punonjësit e kujdesit shëndetësor që çdo ditë janë në front duke u përpjekur të shpëtojnë jetë dhe në përgjithësi promovimin e standardeve të shëndetit dhe sigurisë në Kosovë. Kjo është thelbësore për të përmirësuar dhe zbutur pandeminë. Por edhe në fund, në mënyrë të qëndrueshme për të zhvilluar cilësinë e kujdesit shëndetësor në këtë vend”, tha ai.

Ai tha se projekti në vlerë prej 200 mijë euro është për të trajtuar punëtorë shëndetësor në kujdesin dhe trajtimin e pacientëve të infektuar me Covid-19.

“Është kënaqësia ime gjithashtu të shoh sot zbatimin e këtij projekti GIZ me buxhet 200,000 euro për të trajnuar punonjës të kujdesit shëndetësor në trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19 në një mënyrë shumë praktike. Kjo është esenca sot pasi shohim numra që rriten këtu në Prishtinë por në të gjithë vendin. Pra, promovimi i standardeve të sigurisë dhe shëndetit në institucionet e kujdesit shëndetësor në tërë Kosovën”, tha ai.

E drejtori i GIZ-it në Kosovë, David Oberhuber tha se Kolegji Heimerer është një nga trajnuesit kryesor të kujdesit shëndetësor.

“Roli kryesor në këtë do të jetë kolegji Heimerer padyshim që është një nga trajnuesit kryesorë të kujdesit shëndetësor në këtë fushë për profesionistët e kujdesit shëndetësor këtu në vend, dhe ne jemi të lumtur që mund t’ju përdorim për të punuar me të vërtetë me spitalet, të cilët tani kanë nevojë për këtë mbështetje në përcaktimin e standardeve shëndetësore ashtu siç kërkohen për COVID-19”, tha ai.

Në këtë ceremoni të nënshkrimit të partneritetit publik-privat, drejtori i Kolegjit Heimerer, Petrit Beqiri tha se projekti përqendrohet në përmirësimin dhe avancimin e higjienës spitalore që punëtorët shëndetësor dhe pacientët të qëndrojnë të sigurt nga infeksioni.

“Këtu në Kosovë, sistemi ynë i kujdesit shëndetësor duhet të përballet me këtë sfidë me vështirësi shtesë, fonde, pajisje dhe përgatitje të kufizuara. Prandaj jemi krenarë që ekipi Heimerer në bashkëpunim me partnerin tonë nga GIZ ishin në gjendje në kohë rekord të hartojnë një projekt i cili do të mbështesë institucionet shëndetësore dhe punonjësit e shëndetit në luftën e tyre të përditshme me COVID-19. Projekti përqendrohet në përmirësimin dhe avancimin e higjienës spitalore dhe sigurimin që punonjësit e shëndetit dhe pacientët të qëndrojnë të sigurt nga infeksioni”, tha ai.

Ky financim është pjesë e një programi që u vu në zbatim nga GIZ menjëherë pas fillimit të pandemisë koronavirus, dhe është si përgjigje e Gjermanisë për të minimizuar ndikimin e Covid-19 në të gjitha pjesët të globit.

Asnjë koment

Comments are closed.