15-08-2026

Aksident në Rrugën e Kombit, automjeti përfundon në kanal- Shoferi dërgohet me urgjencë në spital

Një aksident rrugor është shënuar këtë mesditë në Rrugën e Kombit, në afërsi të qytetit të Kukësit.
Mësohet se një automjet tip “Benz” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor të autostradës. Pas daljes nga rruga, automjeti ka vijuar lëvizjen për rreth 20 metra përgjatë kanalit, përpara se të përplasej me një strukturë betoni.

Në automjet ndodhej vetëm drejtuesi i mjetit, i cili është transportuar me autoambulancë drejt urgjencës së Spitalit të Kukësit.

Raportohet se shoferi ka pësuar dëmtime në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe lëndimet e tij janë vlerësuar të lehta.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur patrulla e Policisë Rrugore të Autostradës, si dhe punonjësit e koncesionarit të Rrugës së Kombit. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Asnjë koment

Comments are closed.